Hamza priti në takim Guvernatorin e Bankës së Sllovenisë
Prishtinë, 12 shtator - Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës Bedri Hamza ka pritur në një takim Boshtjan Jazbec, Guvernator i Bankës së Sllovenisë .
Më këtë rast të dy guvernatorët kanë shkëmbyer informacione lidhur më zhvillimet në përgjithësi në sektorët financiar të të dyja vendeve.
Guvernatori Hamza, ka falënderuar Jazbec për ndihmën e tij që ka ofruar si ekspert për plotë katër vite në BQK , duke theksuar se është meritor për të arriturat e Bankës Qendrore. Guvernatori Hamza po ashtu ka e vlerësuar kontributin e deritashëm të Bankës së Sllovenisë, dhënë BQK-së dhe njëherësh ka shpalosur fushat me interes për bashkëpunim midis të dyja institucioneve, me fokus të veçantë në fushën e avancimit të kornizës ligjore të sektorit financiar dhe procesin e integrimit evropian.
Më këtë rast u vlerësua po ashtu edhe bashkëpunimi në mes të dy institucioneve, ku BQK-së nga ana e Bankës sllovene është duke iu ofruar bashkëpunim në ndërtimin e kapaciteteve në frymën e praktikave më bashkëkohore.
Gjatë këtij takimi Jazbec ka falënderuar guvernatorin Hamza për ftesën e pjesëmarrjes në konferencë duke premtuar se bashkëpunimi profesional me BQK-në edhe në të ardhmen do të jetë efikas, dhe duke rikonfirmuar gatishmërinë e institucionit që drejton, për mbështetje të mëtejmë dhe për bashkëpunim të ngushtë me BQK-në në adresimin e çështjeve të cilat konsiderohen me interes të përbashkët.