16 Janar 2025

Hamza, dorë e zgjatur e PDK-së në BQK

Prishtinë, 17 mars - Emërimin e ish-ministrit të Financave në krye të Bankës Qendrore të Kosovës, (BQK) e kanë marrë me shqetësim shumë të madh ekspertët e ekonomisë dhe zyrtarët e partive opozitare, duke e vlerësuar si marrje në dorë e këtij institucioni financiar nga njerëz në pushtet.

Sipas tyre, tash e tutje i tërë sistemi financiar në vend do të jetë nën kontrollin e qeverisë.

Lumir Abdixhiku nga Instituti Riinvest, ka thënë se tashmë qeveria ka futur në dorë pjesën më të madhe të transaksioneve financiare në Kosovë.

“Varet edhe nga politikat që do t’i zgjedhë guvernatori i ri por gjithsesi BQK-ja është tash pjesë e politikave qeveritare dhe kjo është gabim në definicion me qenë se vetë sipas konceptit të BQK-së dhe Kushtetutës së Kosovës, BQK-ja duhet të ketë ndarësi dhe pavarësi në politikat e veta nga qeveria”, ka thënë Abdixhiku.

Mirëpo, e mira e gjithë kësaj sipas Abdixhikut është që Kosova nuk e ka valutën e vet. “Është fat i mirë që Kosova nuk e ka valutën e vet sepse në të kundërtën po të kishte pasur valutë të vet dhe kësi niveli të politizimit gjërat kishin qenë shumë keq dhe shumë më rëndë”, ka thënë ai. 

Avni Zogini nga Organizata “Çohu” ka thënë se zgjedhja e Bedri Hamzës si guvernator i BQK-së do të shfrytëzohet nga grupe të ndryshme interesi si të politikës ashtu edhe të biznesit.

“Ky rast do të shfrytëzohet nga grupe të interesit që janë të lidhura me partinë në pushtet, do ta shfrytëzojnë për favore personale por edhe për favore politike. Pra, definitivisht kjo prani e drejtorit politik në këtë sektor do ta bëjë që gjithë sektorin financiar të manipulohet nga politika”, ka thënë Zogiani. 

Avdullah Hoti nga LDK-ja ka thënë se jo vetëm zgjedhja e Hamzës në krye të BQK-së, është shqetësuese por edhe zgjedhja e mëhershme e kryetarit të Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Blerim Rexha.

Vënia nën kontroll të drejtpërdrejtë e këtyre institucioneve nga ana e PDK-së, sipas Hotit, është e dëmshme për ekonominë dhe për demokracinë në Kosovë. Sipas tij, është e papranueshme neglizhenca e deputetëve të PDK-së, të koalicionit qeverisës dhe të AAK, ndaj këtyre zhvillimeve të dëmshme për ekonominë dhe demokracinë vendore.

“Derisa të njëjtit deputetë kërkonin që anëtarët e bordit të ndërmarrjeve publike të mos kenë pasur funksione politike në tre vjetët e fundit, ata te rasti i guvernatorit të BQK-së dhe kryetarit të Bordit të AKP-së nuk kërkuan një gjë e tillë, duke bërë kështu shkelje ligjore me vetëdije”, ka thënë Hoti.

Kjo, sipas tij, do të ndikojë për të keq edhe te investitorët e mundshëm në Kosovë. “Me këto zgjedhje politike është lëkundur besimi i investitorëve në sistemin financiar të vendit. Ndërsa, në rastin e privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore, do të vazhdohet me falje të aseteve me nga 2 euro për ari të tokës bujqësore dhe kurdisje të privatizimeve ashtu siç ka ndodhur deri më tani”, ka thënë ai.

Duke folur në emër të LDK-së, Hoti ka paralajmëruar se posa të vijë në pushtet kjo parti këta persona të emëruar politikë do të shkarkohen.

Dardan Sejdiu nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se BQK-ja tash e tutje nuk mund të jetë ndryshe vetëm sikurse të gjitha institucionet e pavarura që tashmë po drejtohen nga njerëz politikë.

“Të qenit ministër i Financave nuk do të thotë se e njeh sistemin financiar për më shumë të qenit numërues i votave të PDK-së nuk do të thotë asgjë më shumë se i varur komplet prej partisë. Kështu që çfarëdo që ka ndodhur në institucionet tjera që janë në drejtim të PDK-së do të ndodhë e njëjta edhe me BQK-në, nuk ka ndonjë dallim ose ndonjë pritje tjetër”, ka thënë Sejdiu.

Kjo sipas Sejdiut, jo që është shqetësuese por është njëra prej uzurpimeve më flagrante që iu është bërë një institucioni të pavarur deri më tani.

“Kjo është njëra prej zaptimeve më të rënda që i është bërë sistemit ekonomik të vendit sidomos duke e pasur parasysh që BQK-ja është rregullatori i gjithë industrisë financiare në të cilën janë bankat, kompanitë e sigurimeve, fondet pensionale, institucionet jobankare etj”, ka thënë ai.

Haki Shatri nga AAK-ja ka thënë se vazhdimisht mbi këtë institucion ka pasur presion që të merret kontrollimi në duar të qeverisë. “Afera me Hashim Rexhepin dihet që ka qenë politike. Një aferë iu ka bërë është liruar i pafajshëm nuk është kthyer më kurrë në atë vend, është përfolur për shkak të kompanive të sigurimeve, diçka jo e pastër. Më vonë kemi edhe disa forma tjera të veprimeve që lidhen me gjëra jo të mira që nuk lidhen me një qeverisje të mirë dhe të rregullt”, ka thënë Shatri.

Sipas tij, në çoftë se tash një strukturë politike e vë nën kontoll këtë institucion do të thotë se e gjithë ato veprimtari dhe biznese në vend që janë në interes të shtetit shkojnë në interes të grupeve të caktuara.

Kundër zgjedhjes së Bedri Hamzës guvernator i BQK-së ishte deklaruar edhe Instituti Demokratik i Kosovës. Ata kanë vlerësuar se është shkelur Kushtetuta e Kosovës, konkretisht neni 140. Po ashtu, sipas tyre, është shkelur edhe neni 6 i Ligjit për Bankën Qendrore të Republikës, i cili përcakton pavarësinë dhe autonominë e këtij institucioni.

Ish-ministri i Financave, Bedri Hamza është zgjedhur të enjten guvernator i BQK-së me 58 vota pro dhe tri kundër, pa prezencën e opozitës në sallën e Kuvendit të Kosovës. Të pranishëm ishin vetëm tre deputetë të AAK-së, të cilët kishin votuar kundër tij. 

 

/zëri/

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)