Haliti: në 2010 kemi tejkalu të hyrat, kemi mbledh 221 mln euro
Prishtinë, 3 shkurt - Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) mbajti sot konferencën e radhës për gazetarë, ku Drejtori i Përgjithshëm Behxhet Haliti prezantoi Raportin Vjetor të vitit 2010.
Në bazë të këtij raporti, viti 2010 ka qenë një vazhdimësi e punës së stafit të ATK-së për të përmirësuar dhe ngritur kapacitetet dhe shërbimet ndaj tatimpaguesve.
Haliti ka thënë se pas modifikimeve dhe ndryshimeve në legjislacionin tatimor për ti plotësuar standardet ndërkombëtare ATK ka bërë modernizimin e sistemit për përpunimin e të dhënave.
Po ashtu sipas tij është krijuar pozita e Avokatit të Tatimpaguesit për tu dhënë hapësirë shqetësimeve dhe çështjeve të cilat tatimpaguesit nuk kanë mundësi ti zgjidhin përmes kanaleve normale brenda ATK-së si dhe është lansuar linja e bashkëpunimit pa pagesë me qytetar për lajmërimin e rasteve të evazionit tatimor, korrupsionit apo sjelljeve jo të mira nga stafi i ATK-së.
Gjithashtu, Haliti ka theksuar se ky vit ka përfshirë edhe aktivitete të tjera siç janë: 52 466 vizita përmbushëse, 29 712 vizita vëzhguese, lëshimin e mbi 61 mijë Numrave Fiskal, mbi 1606 vizita të aktiviteteve të lojërave të fatit, bashkëpunime të shumta me Policinë e Kosovës dhe Doganat, seminare e trajnime të ndryshme, 61 kallëzime penale e shumë aktivitete të tjera.
Si rezultat i gjithë kësaj pune sipas tij janë tejkaluar edhe parashikimet për të hyrat, duke mbledhur kështu 221.6 milion euro nga Tatimet dhe 73.1 milion euro nga Kontributet Pensionale.
Veç kësaj, Drejtori i ATK-së përmendi edhe sfidat që i presin këta të fundit gjatë vitit 2011, duke theksuar realizimin e planit të të hyrave për vitin 2011, implementimin e projektit të arkave fiskale, funksionalizimin e deklarimit online, funksionalizimin e njësisë për menaxhim të rrezikut, identifikimin e saktë dhe azhurnimin e regjistrit të tatimpaguesve si dhe kushtet e punës.