Guvernatori Mehmeti takoi përfaqësuesit e Rezervës Federale të New York-ut
Washington, 13 tetor - Në kuadër të takimeve vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Bankës Botërore, të cilat po mbahen në Uashington të SHBA-ve, Guvenatori Mehmeti ka zhvilluar takim me përfaqësues të Rezervës Federale të New York-ut.
Guvernatori Mehmeti njoftoi përfaqësuesit e Rezervës Federale lidhur me performancën sistemit financiar në Kosovë, e në veçanti të sektorit bankar dhe theksoi rëndësinë e këtij sektori në mbështetje të zhvillimit ekonomik të vendit.
Guvernatori Mehmeti po ashtu informoi përfaqësuesit e Rezervës Federale lidhur me pikëpamjet e Bankës Qendrore sa i përket zhvillimeve makroekonomike në Republikën e Kosovës, si dhe rolin e sektorit financiar si kontribuues kyç në financimin e ekonomisë.
Në takim u diskutua edhe mundësia e zgjerimit dhe avancimit të bashkëpunimit në mes të dy institucioneve në fushën e menaxhimit të mjeteve dhe po ashtu edhe për pjesëmarrjen në trajnimet e organizuara nga Rezerva Federale e New York-ut.