Guvernatori Mehmeti takoi drejtuesit e lartë të FMN-së dhe BB-së
Prishtinë, 22 prill - Në kuadër të takimeve pranverore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Bankës Botërore, të cilat janë duke u zhvilluar në Uashington, Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti, ka takuar Zëvendësdrejtorin Menaxhues të FMN-së, Bo Li, me të cilin janë diskutuar zhvillimet e fundit makroekonomike në Kosovë, me theks të veçantë qëndrueshmëria e sektorit financiar dhe zhvillimet e avancuara në këtë sektor.
Guvernatori Mehmeti ka uruar Zëvendësdrejtorin Menaxhues të Fondit Monetar Ndërkombëtar për pozitën, si dhe ka falënderuar këtë institucion për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë Kosovës, në këtë rast BQK-së, përderisa Zëvendësdrejtori Menaxhues i Fondit Monetar Ndërkombëtar, Bo Li ka theksuar mbështetjen e mëtutjeshme për BQK-në edhe në të ardhmen.
Guvernatori Mehmeti gjithashtu është takuar me Drejtorin e Departamentit Evropian të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Alfred Kammer, me të cilin kanë diskutuar për zhvillimet e fundit makroekonomike, si dhe zhvillimet në sistemin financiar të Kosovës.
Ndërsa, temë kryesore e diskutimit mes Guvernatorit Mehmeti dhe Udabir S. Das nga Departamenti i Politikave Monetare dhe Tregjeve të Kapitalit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, ka qenë Asistencat Teknike që i janë dhënë BQK-së, si dhe ofrimi i asistencave teknike në realizimin e rekomandimeve të dala nga Shqyrtimi i Stabilitetit të Sistemit Financiar (Financial System Stability Review-FSSR).
Në të njëjtën kohë, ekipi i Departamentit të Politikave Monetare dhe Tregjeve të Kapitalit ka vlerësuar realizimin e disa prej rekomandimeve të dala nga ky raport.
Guvernatori Mehmeti ka mbajtur takim edhe me Misionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar për Kosovën të udhëhequr nga Gabriel Di Bella, si dhe me Drejtorin e Konstituencës tonë në Fond, Daniel Palotai.
Guvernatori Mehmeti gjithashtu është takuar me Zëvendëspresidenten e Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë Qendrore, Anna Bjerde.
Në këtë takim Guvernatori Mehmeti e informoi znj. Bjerde për zhvillimet e fundit në sistemin financiar të Kosovës dhe e falënderoi për përkrahjen e Bankës Botërore ndaj BQK-së përmes projekteve të ndryshme, me qëllim të zhvillimit të mëtejmë të sistemit financiar në Kosovë.
Ditëve në vazhdim, Guvernatori Mehmeti do të zhvillojë takime edhe me përfaqësues tjerë të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar.