GTZ ndihmon Komisionin për Buxhet dhe Financa
Prishtinë, 6 maj - Anëtarët e Komisionit për Buxhet dhe Financa të Kuvendit të Kosovës, kanë zhvilluar sot një takim me përfaqësues të Bashkëpunimit Teknik Gjerman (GTZ), me të cilët kanë diskutuar për bashkëpunimin ndërmjet tyre dhe ndihmën që GTZ-ja i ka dhënë dhe po i jep këtij Komisioni.
Udhëheqësi i takimit, njëherësh zëvendëskryetar i parë i Komisionit, Naser Osmani, duke shprehur falënderimin e thellë për kontributin që GTZ-ja po jep në bërjen e ligjeve dhe avancimin e punës së Komisionit, theksoi se Komisioni gjendet në fazën kur i nevojitet mbështetje, sidomos në hartimin e legjislacionit.
Osmani tha se gjatë këtij viti Komisioni do të procedojë në Kuvend rreth 15 ligje bazike dhe në këtë proces ndihma konkrete e GTZ-së është mëse e nevojshme.
Duke i njohur përfaqësuesit e GTZ-së me vëllimin e madh të punëve të Komisionit për Buxhet dhe Financa, Osmani tha se ky është komisioni kryesor i Kuvendit të Kosovës, dhe si i tillë, përballet edhe me vështirësi gjatë punës së tij, për të cilat folën edhe anëtarë të tjerë të Komisionit.
Udhëheqësja e GTZ-së për Evropë, Azi, Lindje të Mesme dhe Afrikë, Mary Schafer, theksoi se Kosova, si shteti më i ri në botë, është në fokusin e saj, ndërkaq që ndihma për Komisionin për Buxhet dhe Financa mbetet projekti i rëndësishëm për institucionin që ajo udhëheq.
Duke shprehur gatishmërinë e GTZ-së për të vazhduar ndihmën për Komisionin, Schafer u interesua për një varg çështjesh që lidhen me të, për të cilat u njoftua nga zëvendëskryetari i Komisionit dhe anëtarët e tjerë të tij. Osmani theksoi se përparësia e Kosovës është se ajo po harton ligje të reja duke marrë praktikat më të mira ndërkombëtare, në përputhje me legjislacionin e BE-së.