GSJP me raport për deklarimin e pasurisë dhe luftën kundër-korrupsionit
Prishtinë, 25 qershor - Grupi për Studime Juridike dhe Politike sot do të prezantojë një raport politikash të titulluar: A po ndihmon sistemi i deklarimit të pasurisë në luftën kundër-korrupsionit dhe parandalon keqpërdorimin e pushtetit në Kosovë?, ku ofrohet një kontribut i veçantë në përmirësimin e tanishëm të sistemit për deklarimin e pasurisë, si dhe identifikon barrierat e tanishme të po këtij sistemi.
Raporti ndër të tjera ofron një numër rekomandime politikash që do të mundësonin përmirësimin e tanishëm të sistemit për deklarim të pasurisë nga ana e zyrtarëve publik.
Kurse, pas këtij prezantimi do të mbahet një panel diskutues, i cili ka për qëllim të analizojë praktikat e tanishme të deklarimit të pasurisë nga ana e zyrtarëve publik si dhe të vë në pah mundësitë e këtij sistemi për të luftuar korrupsionin dhe parandaluar keqpërdorimin e pushtetit në Kosovë.
Në veçanti, ky panel diskutues do të fokusohet në potencialet dhe dobësitë që e karakterizojnë këtë sistem, përfshirë këtu edhe problemet që lidhen me kornizën ligjore.
Po ashtu, nga ky diskutim pritet që tëkrahasohen sistemet e deklarimit të pasurisë me praktikat ndërkombëtare me qëllimin që kjo e fundit të mundësoj shfrytëzimin sa më efikas të këtij mekanizmi për të luftuar korrupsionin në Kosovë.