18 Nëntor 2024

Grevistët, sytë kah legjislatura e re

Albulena S. MAVRAJ

Prishtinë, 14 korrik - Dhjetëra punëtorë të ish-Fabrikës së Tubave nga Ferizaj që shtatë javë po qëndrojnë në grevë para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.

Ata po mbajnë shpresë se me konstituimin e Kuvendit të ri të Kosovës do të zgjidhet problemi i tyre.

Grevistët kanë hyrë në grevë me kërkesën që të kompensohen nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) në vlerë prej 30 milionë eurosh si ish-punëtorë të Fabrikës së Tubave në Ferizaj.

Kryetari i punëtorëve grevistë të ish-Fabrikës së Tubave nga Ferizaj, Ali Shabani, ka deklaruar se kanë hyrë në javën e shtatë të grevës për shkak se nuk është bërë ekzekutimi i Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetues sipas vendimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës të 19 marsit 2014-t, me të cilin specifikohej edhe dinamika e shlyerjes së borxhit ndaj këtyre ish-punëtorëve.

“Brenda 30 ditëve është dashur që punëtorët e Fabrikës së Gypave t’i marrin 50 për qind të shumës së gjithëmbarshme, ndërsa pastaj çdo tremujor nga 25 për qind. Kështu do të përmbyllej i tërë borxhi prej 25 milionë e 649 e 250 eurosh me 3 për qind kamatë”, ka bërë me dije ai.

Shabani i ka thënë gazetës “Epoka e re” se askush nga përfaqësuesit e nivelit qendror nuk i ka vizituar, pos nga niveli lokal dhe përfaqësues të organizatave e sindikatave të ndryshme.

“Nga përfaqësuesit e institucioneve nga niveli qendror askush s’na ka vizituar, ndërsa nga Ferizaj na kanë vizituar kryetari Muharrem Sfarqa. Po ashtu, ka qenë ish-deputeti Ilmi Reçica që na ka vizituar. Reçica është bashkëvendësi ynë dhe ka qenë i angazhuar shumë në çështjen tonë. Na kanë vizituar edhe Avokati i Popullit, Sami Kurtishi, kryetari i Këshillit për Mbrojtjen dhe të Drejtat e Njeriut, Behxhet Shala, përfaqësuesit e sindikatave të ‘Trepçë’-s, ‘Llamkos’-it, ‘Ballkani’ i Suharekës, përfaqësues të ‘Hendikep’-it, ‘Hendikos’-it, përfaqësues të shoqatave të pensionistëve etj”, ka thënë ai.

Shabani e ka kritikuar AKP-në, e cila nëpërmjet një komunikate ka kërkuar nga ish-punëtorët e Fabrikës së Gypave në Ferizaj ta ndërprenë grevën.

“Fillimisht është dashur të bisedohet me grevistët, e jo të lëshohet komunikatë për medie. AKP-ja ka dalë me komunikatë për shtyp dhe nuk na është drejtuar neve, pasi kemi qenë në kontakt me ta që nga fillimi i grevës. AKP-ja ende nuk e ka të qartë mënyrën e procedimit të shpërndarjes së mjeteve. Janë disa gjëra të paqarta dhe vetë AKP-ja nuk i ka të qarta, sepse tek ata ende ekziston dilema e tyre rreth përqindjes së kamatës.

Autoriteti i Likuidimit i ka 10 për qind, ndërsa ne i kërkojmë 3 për qind kamatë vjetore”, ka deklaruar Shabani.

Ai ka bërë me dije se duhet që nga Bordi i AKP-së tre ndërkombëtarë ta japin votën pozitive në mënyrë që të bëhet shpërndarja e mjeteve.

“Më 31 gusht skadon mandati në bazë të ligjit për përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë së Republikës së Kosovës, pastaj AKP-ja do të jetë në duar të vendorëve. I duhet Kuvendit të Kosovës ta plotësojë atë bord, pasi kështu është e paraparë me ligj”, ka thënë ai.

Shabani është shprehur se greva e punëtorëve do të vazhdojë.

Ai ka bërë me dije se janë duke e pritur konstituimin e kuvendit të ri, i cili, sipas tij, mund të ofrojë zgjidhje për problemin e tyre. “Natyrisht në duhet të qëndrojmë këtu dhe ta presim konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Dashtë Zoti të konstituohet më 17 të këtij muaji e pastaj ne do të bisedojmë me ta që të shikojmë nëse ka mundësi që ata të na garantojnë se në mbledhjet e para do të bëhet konstituimi i bordit të AKP-së”, ka deklaruar Shabani.
 
Ai ka bërë me dije se ia ka dërguar AKP-së të gjitha dosjet e punëtorëve.

“Unë ia kam dërguar AKP-së dosjen me nëntë follderë, në të cilët janë me mijëra e mijëra faqe për secilin punëtor veç e veç dhe për ata të cilët kanë vdekur e që janë 300. Kemi bërë punë gjigante, prandaj është në dorën e AKP-së që këto punë teknike t’i përfundojë më herët. Ne e kemi kryer këtë punë për faktin që kur të vijë momenti për të votuar ata tërë dokumentacionin e kanë të gatshëm dhe në rregull”, është shprehur Shabani.

Ndërkaq sa i përket gjendjes shëndetësore të grevistëve, ai ka deklaruar se katër punëtorë janë duke u trajtuar për mjekim në Ferizaj, ndërsa 36 të tjerë në Prishtinë.

“Gjendja shëndetësore e punëtorëve nuk është e mirë, pasi kanë mbretëruar temperatura jashtëzakonisht të larta. Brenda në tendë temperaturat sillen rreth 34, 35 gradë celsius”, ka treguar Shabani.

Çështja e kompensimit të ish-punëtorëve të Fabrikës së Tubave nga Ferizaj ka mbetur e hapur që nga 17 dhjetori 2011 dhe se kur do të përfundojë, këtë nuk e di as kryetari i punëtorëve grevistë të ish-Fabrikës së Tubave nga Ferizaj, Ali Shabani.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)