Greqia ul me 3 miliardë euro shpenzimet shtetërore
Athinë, 30 gusht - Ekipi ekonomik i qeverisë në Athinë hartoi një plan të ri ku parashikohet shkurtimi me tre miliardë euro në sektorin shtetëror gjatë vitit të ardhshëm.
Qëllimi i këtij plani është ulja e deficitit buxhetor në normën e kërkuar nga BE dhe FMN. Ky plan do të prekë pensionet dhe pagat e larta të nënpunësve shtetërorë. Po ashtu pritet të ulen edhe shpenzimet e komunave, spitaleve, arkave dhe ndërmarrjeve në sektorin shtetëror.
Greqia në maj të këtij viti e shmangu gjendjen e paaftësisë për të paguar borxhet, pasi mori pjesën e parë të kredisë shpëtuese nga pakoja trevjeçare me një vlerë prej 110 miliardë eurosh nga FMN dhe BE. Në shtator do të marrë edhe pjesën e dytë nga kjo paketë me vlerë prej nëntë miliardë eurosh.
Qeveria e Athinës është angazhuar ta ulë deficitin buxhetor nga 13,6 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto në 8,1 për qind deri në fund të këtij viti.