Greqia synon shkurtimin e 7.3 mld eurove
Athinë, 3 tetor - Greqia synon të ulë shpenzimet publike në masën 7.3 miliardë euro gjatë vitit të ardhshëm. Kjo parashikohet në projektbuxhetin e miratuar nga qeveria dhe që tashmë është dërguar për shqyrtim në parlamentin e vendit.
Ulja e shpenzimeve është kushti që Greqia duhet të plotësojë për të siguruar mbështetjen financiare ndërkombëtare. Shkurtimet në masën 7.3 miliardë euro, janë pjesë e planit dy vjeçar, sipas të cilit ulja në total duhet të jetë 13.5 miliardë euro.
Sipas projektbuxhetit, 1.1 miliardë euro do të kursehen nga ulja e rrogave të punonjësve të administratës publike, 3.8 miliardë euro nga pensionet dhe pjesa e mbetur do të mbulohet nga shkurtimi i sigurimeve shoqërore, buxhetit për shëndetësinë, mbrojtjen dhe arsimin.
Projektbuxheti përfshin edhe reformimin e sistemit të taksave dhe rritjen e moshës së daljes në pension nga 65 vjeç në 67 vjeç.
Një funksionar i Ministrisë së Financave tha se në vitin 2013 Greqia pritet të ketë rezerva financiare në shumën 2.2 miliardë euro (1.1% të PBB-së), por zhvillimi ekonomik do të ulet me 3.8% dhe papunësia do të shkojë në 24.7%.