Greqia pritet të paraqesë një propozim të ri në Bruksel
Athinë, 22 qershor - Zyrtarët grekë do të përpiqen sot të bindin ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian se Athina do të jetë e gatshme të ndërmarrë reformat e nevojshme, në mënyrë që kreditorët të zhbllokojnë 8.2 miliardë dollarë fonde shpëtimi për vendin.
Në një takim emergjence në Bruksel, qeveria greke pritet të paraqesë një propozim të ri.
Greqisë i duhen fonde për ti paguar Fondit Monetar Ndërkombëtar 1.8 miliardë dollarë deri më 30 qershor.
Shumë njerëz në rrugët e Athinës druhen se qeveria do të propozojë masa shtrënguese në favor të kreditorëve ndërkombëtarë, përfshirë një zvogëlim të pensioneve.
Samiti do të mbahet pas takimeve që u mbyllën pa rezultat të enjten në lidhje me kushtet për fondin e shpëtimit prej 17.5 miliardë dollarësh.
Një ministër shteti i Greqisë tha dje se qeveria greke do të paraqesë një propozim të ri në takimin e emergjencës:
Nuk po shkojmë në Bruksel me propozimin e vjetër. Po bëjmë modifikime, për të parë se ku mund të përshtatemi për të arritur një marrëveshje në të mirë të të dyja palëve.
Shtetet e Bashkuara i bënë thirrje dje Greqisë të zhytur në borxhe të marrë disa vendime të vështira drejt një marrëveshjeje të shpejtë me kreditorët ndërkombëtarë për të parandaluar copëzimin e Eurozonës prej 19 vendesh.
Sekretari amerikan i Thesarit Jack Lew, duke folur për kanalin CNN, tha se Athina duhet të veprojë tani ose të rrezikojë shkatërrimin e ekonomisë së vendit dhe rrënimin e shoqërisë greke.