17 Nëntor 2024

Greqia paralajmëron se do të kërkojë ndihmë financiare nga Rusia

Athinë, 17 shkurt - Greqia ka paralajmëruar se do të kërkojë ndihmë financiare nga Rusia nëse dështojnë negociatat për të zbutur kushtet e paketës së shpëtimit të Bashkimit Evropian, duke zemëruar udhëheqësit evropianë që mendojnë se Moska ka ushqyer konfliktin në Ukrainë.

Athina thotë gjithashtu se mund t’i drejtohet Kinës ose Shteteve të Bashkuara si alternativë për ndihmë për ekonominë e saj të dobët.

Evropa përballet me dy kriza njëkohësisht: Agresioni rus në Ukrainën lindore dhe mundësinë që Greqia të braktisë planin e shpëtimit dhe të dalë nga Eurozona.

Në pamje të parë këto kërcënime duken të palidhura. Por Greqia dhe Rusia kanë një histori të gjatë marrëdhëniesh, siç shpjegon Ioannis Kokkoris i Universitetit Mbretëresha Mary në Londër:

“Rusia dhe Greqia kanë pasur gjithmonë lidhje të forta, kryesisht falë fesë. Është pjesë e historisë. Ne kemi pasur luftëra të përbashkëta”.

Kryeministri i ri grek e bëri të qartë qëndrimin e tij për sanksionet e Bashkimit Evropian kundër Moskës, në fillim të muajit:

“Tensionet e vazhdueshme, të shndërruara në një luftë për ekonominë, nuk do të kenë rezultate pozitive për popujt e Evropës. Në këtë kuptim, Greqia dhe Qipro mund të jenë një urë bashkëpunimi dhe paqeje mes Bashkimit Evropian dhe Rusisë”.

Zoti Tsipras u zgjodh me premtimin për t’u dhënë fund masave shtrënguese evropiane dhe për të rinegociuar kushtet e paketës së ndihmave për Greqinë. Nëse ato negociata dështojnë, Ministri i Mbrojtjes i Greqisë tha javës që kaloi se alternativa mund të ishte që Athina t’i drejtohej Rusisë për ndihmë, duke rrezikuar një çarje të rëndë me Bashkimin Evropian dhe NATO-n.

Por nëndrejtori i Qendrës për Reformë Evropiane në Londër, Simon Tilford thotë se ky është një kërcënim i zbrazët:

“Mendoj se Rusia do të tundohej që të jepte mbështetje. Por ata nuk i kanë burimet për një gjë të tillë sepse është një vend që po kalon një krizë të madhe ekonomike për vete”.

Kina është përmendur si një burim i mundshëm ndihme. Gjiganti shtetëror i transportit Cosco bleu gjysmën e portit të Pireut para pesë vjetësh për më shumë se gjysmë miliardë dollarësh. Ambiciet kineze për ta zgjeruar kontrollin kanë ngecur, pasi qeveria e re dha sinjale se mund të pezullojë privatizimet që synojnë uljen e borxhit publik:

“Kina ka si objektiv të privatizojë dy porte greke. Dhe kjo është bllokuar nga qeveria e re. Kështuqë kinezët mund të shtyhen që të bëjnë për vete qeverinë greke, me disa financime. Por përsëri, nuk besoj se ata do të futeshin në një situatë ku Greqia ka një borxh prej 200 miliardë eurosh për të paguar”.

Athina ka përmendur edhe Shtetet e Bashkuara si burim të mundshëm ndihmash. Uashingtoni ka ofruar mbështetje për qëndrimin e Greqisë kundër masave të mëtejshme shtrënguese, por nuk ka gjasa të japë mbështetje financiare thotë Simon Tilford:

“Obama foli në mbështetje të Greqisë duke thënë se nuk mund ta detyrosh një vend të qëndrojë në një gjendje të tillë për një kohë të pacaktuar. Duhet të ketë rritje. Por amerikanët do të preferonin të ushtronin trysni ndaj gjermanëve dhe pjesës tjetër të Eurozonës për një marrëveshje me Greqinë me financime direkte për të njëjtat arsye si Kina. Ata nuk duan të zemërojnë pjesën tjetër të Eurozonës”.

Paralajmërimi i Greqisë për të parë përtej Evropës, edhe nga Moska shihet si lëvizja e fundit në një lojë rivaliteti. Por analistët paralajmërojnë se nëse Greqia detyrohet të dalë nga Eurozona, dëshpërimi ekonomik mund të sjellë zgjidhje drastike.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)