Greqia me të dhëna shokuese për varfërinë
Athinë, 5 nëntor - Instituti Kombetar i Statistikave në Greqi ka publikuar orët e fundit të dhëna shokuese që tregojnë se grekët po kthehen në një popull të varfër.
Sipas këtij raporti, 21.4% e popullsisë së vendit në vitin 2011, e thënë ndryshe më shumë se 900 000 shtëpi ose 2.3 milione banorë, kërcënohen nga varfëria.
Gjithashtu, më shumë se 3.4 milionë banorë, dmth 1/3 e grekëve ndodhen në gjendje të mjere ekonomike.
Nga varfëria kërcënohet më shume se 23.7% e fëmijeve të moshës nga 0 deri në 17 vjeç dhe në të njëjten përqindje edhe personat mbi 65 vjeç.
Një nga statistikat më shokuese është se numri i pjestarëve të familjeve në të cilat nuk punon askush, në një periudhe kohore prej gati tre muajsh, ka shkuar në 837.000 persona, nga 544.000 e një viti më parë.
Shifrat dramatike për varferine publikohen në një moment, kur sipas Institutit të Punes armata e të papunëve do të shkojë në 35% ose në 1.75 milion vetë në vitin e ardhshëm.
Në një situatë politike aspak të qëndrueshme, kur ekuilibri i koalicionit qeveritar pothuajse ka humbur, Parlamenti Grek thirret të mërkurën të votoje paketën me masat më të dhimbshme ekonomike që janë marrë ndonjëherë në historinë e vendit.
Nëse ato aprovohen, nga njëra ane do të mundesohet vazhdimesia e ndihmes financiare nga kreditoret për Athinen, duke u shmangur falimentimi i saj, por nga ana tjeter, masat do të sjellin më shumë reduktime në paga dhe pensione, të cilat do të shkaktojne një renie akoma më të madhe të nivelit të jetesës në vend.
Prej ditës së hënë, një valë e re protestash do të përfshije mbarë Greqinë, ndërsa të marten dhe të mërkuren, sindikatat e sektorit shtetëror dhe atij privat kanë shpallur një grevë të përgjithshme 48 orëshe, duke kundërshtuar politikat e ashpra ekonomike të qeverisë Samaras.