Greqia fillon përgatitjet për rikthimin e trojkës
Të mërkurën u realizua një telekonferencë mes zyrtarëve të Ministrisë greke të Financave dhe të trojkës (BE, FMN, BQE), në prag të mbërritjes së përfaqësuesve të kreditorëve në Athinë dhe vlerësimit të pestë të ekonomisë greke.
Takimi i parë i ministrit të Financave, Gjikas Harduvelis, me drejtuesit e trojkës është programuar për të martën, më 30 shtator.
Në negociatat, që do të pasojnë, do të finalizohet projektbuxheti i ri, që do të dorëzohet në Parlament më 6 tetor, një javë para takimit vjetor të FMN-së, që do të mbahet në Uashington më 10-12 tetor.
Në vijë paralele me këtë, Ministria e Financave të Greqisë vë në dukje në një komunikatë se nuk i përgjigjen realitetit zërat rreth vonesës së ardhjes së trojkës në Athinë, pas kërkesës së qeverisë greke.