Greqia është më pranë marrjes së këstit prej 8 miliardë euro
Athinë, 9 korrik - Greqia është më pranë marrjes së këstit të radhës së dorëzanisë madhore, që prej vitit 2011 shpëton financat helene nga falimentimi.
Donatorët e Greqisë, Komisioni Europian, Banka Qëndrore Europiane dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar lajmëruan këtë të hënë se kanë përfunduar misionin e tyre të kontrollimit të të dhënave mbi reformat e Athinës zyrtare e pritet që të aprovojnë huanë në ditët në vazhdim.
Në raportin e \"trojkës\" shkruhej se zhvillimet në Greqi janë në përputhje me planin e paraqitur të kursimeve, edhe pse situata financiare greke mbetet ende e paqartë.
Ministrat e financave të Eurozonës do të jenë ata që do të duhet të japin aprovimin përfundimtar për dorëzimin e kredisë prej 8 miliardë e 100 mijë eurosh.
Kriza financiare në Greqi filloi në fund të vitit 2009 dhe ky vend që nga maji i vitit 2010 përfiton nga fonde nga huadhënësit ndërkombëtarë. Për të përfunduar këtë ndihmë të re, Parlamenti Grek e pa veten të detyruar të shkurtonte 4 mijë vende të tjera pune në administratë dhe të mbyllte Televizionin Shtetëror. Rritja e shpenzimeve publike dhe e taksave, kanë ndikuar edhe në rritjen e presionit mbi popullin grek.
Deri në fund të vitit 2013, Qeveria greke në bashkëpunim me Trojkën ka përcaktuar 12 500 punonjës të administratës publike, që do të pushohen nga puna deri në fund të këtij viti.
Pas takimit me ministrin e Reformës Administrative, një nga përfaqësuesit e misionit të Trojkës iu tha gazetarëve Mbaruam!.
Kështu sipas planit për të cilin është rënë dakort, deri në fund të këtij viti, pritet të pushohen direkt 5000 mësues dhe 3500 punonjës të policisë bashkiake.
Ndërkaq do të pezullohen për tu pushuar më pas, 2500 punonjës të Ministrisë së Arsimit dhe 1500 punonjës të qeverisjes qendrore. Reforma në administratën publike është një nga kushtet kryesore, që i janë vënë Greqisë, në këmbim të lëvrimit të kësteve të ndihmës financiare.
Në nëntor të vitit 2011 Jorgos Papandreu dha dorëheqja nga qeveria dhe co në zgjedhje të parakohshme në vitin 2012, ku nga këto zgjedhje asnjë nga partitë politike nuk arriti të fitoj shumicën për të formuar qeverinë dhe në një periudhë rekorde me urdhër të presidentit u shpërnda Parlamenti.
Një sondazh i fundit i Institutit VPRC, tregon se 81 % e popullit grek janë të vetëdijshëm se ky ndryshim i qeverisë nuk është i mjaftueshëm. 59 % e pjesëmarrësve në këtë sondazh, mendojnë se qeveria e Antonis Samaras, do të ketë të njëjtin fat me qeveritë e kaluara sa i përket ndihmave ndërkombëtare.
Edhe pse ekziston marrëveshja e qeverisë greke me Komisionin Evropian për marrjen e këstit të radhës së dorëzanisë madhore, megjithatë akoma nuk janë shënuar progrese në nxjerrjen e këtij vendi nga kriza.
Alokimi i fondeve do të imponojë një politikë të rreptë, në mënyrë që shteti helen të dalë nga kriza financiare.