Greqia e Portugalia në greva kundër masave shtrënguese ekonomike
Lisbonë, 7 nëntor - Në Greqi dhe Portugali u zhvilluan greva të mërkurën kundër masave shtrënguese ekonomike.
Në Greqi greva ndërpreu transportin publik, shërbimet me trena dhe tragete, gjykatat dhe shkollat. Shërbimet në spitale dhe ambulancat funksionuan me ekipet e emergjencës.
Mijëra punëtorë protestuan në Athinë kundër përpjekjeve të reja të huadhënësve që qeveria të bëjë shkurtime të reja të mëtejshme të shpenzimeve.
Përfaqësues të Bashkimit Evropian, të Bankës Qendrore Evropiane dhe të Fondit Monetar Ndërkombëtar janë duke u takuar me zyrtarët grekë për të zgjidhur problemet buxhetore para se huadhënësit të lëshojnë këstin e ri të huasë për Greqinë.
Në Portugali, vetëm gjysma e trenave ishin sot në punë, ndërsa punëtorët protestonin kundër shkurtimit të pagave dhe përfitimeve të tjera. Lisbona vendosi të shkurtojë shpenzimet për transportin publik në kuadër të marrëveshjeve me huadhënësit ndërkombëtarë në vitin 2011.