Greqia do të rrisë përpjekjet për një marrëveshje me trojkën
Athinë, 21 tetor - Greqia do të rrisë përpjekjet për të arritur një marrëveshje me trojkën e kreditorëve, BE-BQE-FMN, për të siguruar marrjen e kredive, theksoi sot ministri greki Financave.
\"Ne kemi bërë 90 për qind të rrugës për marrjen e këstit të kredisë, ne kemi arritur pothuajse në fund dhe tashmë duhet të japim të gjitha përgjigjet për çështjet që janë akoma në pritje\'\', deklaroi ministri i Financave Yannis Stournaras për të përditshmen financiare greke, Imerissia, publikuar sot.
\"Do të ishte një humbje për gjithë këtë përpjekje kombëtare, nëse nuk do t\'ia dilnim\'\', shtoi ai.
Në samitin e Bashkimit Evropian ku mori pjesë dhe kryeministri grek, Adonis Samaras, krerët e BE-së përshëndetën nëpërmjet një deklarate të përbashkët përparimin e Greqisë që pothuajse ka përfunduar me një marrëveshje me ekspertët e trojkës për paketën e masave dhe reformat administrative që do e nxjerrin vendin nga kriza dhe që do të sigurojnë qëndrimin në eurozonë.
Kryeministri Samaras është shprehur i kënaqur që Brukseli ka njohur sakrificat që kanë bërë qytetarët e tij, por ka theksuar nga ana tjetër se Greqia e ka të nevojshme sa më shpejt këstin e ndihmës prej 31.5 miliardë eurosh, pasi arkat e saj boshatisen krejtësisht në 16 nëntor.
Përfaqësuesit e trojkës u larguan disa ditë më parë nga Athina, por ekipet teknike kanë qëndruar në kryeqytetin grek për zgjidhjen e çështjeve të lëna pezull, sipas një burimi ministror.