Greqi shumë afër falimentimit
Athinë, 6 shkurt - Takimi i kryeministrit grek Lukas Papadimos me liderët e partive që mbështesin qeverinë e tij, është ndërprerë dje pas 5 orësh, për të vazhduar sot në mbrëmje.
Bisedimet do të vazhdojnë që liderët politikë të japin një përgjigje definitive, e cila do të çojë në shpëtimin ose falimentimin e vendit.
Kryeministri dhe tre liderët politikë grekë duhet të vendosin mbi masat e propozuara nga Trojka, të cilat synojnë kryesisht reduktimin e pagës minimale në sektorin privat dhe heqjen e dy pagave shtesë.
Sipas zëdhënësit të PASOK-ut, liderët politikë kanë kërkuar kohë, me qëllim që të konsultohen me organet e partisë dhe sipas të gjitha gjasave sot pasdite do t′i komunikojnë kryeministrit vendimet e tyre, që ky më pas t′ia përcjellë Trojkës.
Reagimet kundër masave të ashpra kanë filluar. Partia Komuniste dhe SYRIZA bëjne thirrje për tubime sot në mbrëmje në ora 18:00 në sheshin Omonia në Athinë dhe në sheshin Venizelos në Selanik.
Përfaqësuesit e sindikatave të sektorit publik dhe privat, GSEE dhe ADEDY, bëjnë të ditur se do të organizojnë nesër një grevë 24-orëshe kundër masave të reja shtrënguese.
Ndërkaq mediat, që i referohen zëdhënësit të PASOK, thonë se kryeministri ka udhëzuar Ministrinë e Financave dhe Zyrën e Përgjithshme e Kontabilitetit për hartimin e një shënimi, i cili do të jetë i gatshëm sot, dhe përfshin sqarimin e pasojave për vendin, nëse partnerët evropianë operojnë me Planin B, dmth falimentimin e Greqisë.
\"Populli grek duhet të dijë se çfarë janë pasojat e një falimentimi të vendit dhe një dalje të mundshme nga eurozona dhe euro\", citon njoftimin zëdhënësi i PASOK