Greqi, papunësia 28 për qind, rënia ekonomike 5,5 për qind
Athinë, 30 korrik - Papunësia në Greqi do të arrijë në 28 për qind, ndërkohë që rënia ekonomike do të kapë shifrën 5,5 për qind nëse zbatohen masat e ashpra për kursim buxhetor të propozuara nga treshja e kreditorëve ndërkombëtarë, Bashkimi Evropian, Banka Qendrore Evropiane dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, paralajmëroi Konfederata e Përgjithshme Greke e Punës (GSSE), sindikata më e madhe në vend që bashkon të punësuarit në sektorin privat.
Sindikata është kundër masave për pensionistët dhe të punësuarit, ndërkohë që kreditorët ndërkombëtarë kërkojnë nga Athina shkurtime buxhetore me vlerë 11,5 miliardë euro në këmbim të livrimit të borxheve të reja.
Kryetari i GSSE-së, Janis Panagopulos deklaroi se programi i kreditorëve ka mangësi dhe se ai po shkatërron ekonominë dhe shoqërinë greke.
\"Kjo është një politikë katastrofike, të cilën asnjë qeveri greke nuk mundet dhe nuk duhet ta pranojë\", deklaroi Panagopulos.