Greqi nuk do të ketë masa të reja shtrënguese
Athinë, 11 mars - Tepër optimist se vendi i tij do ta fitojë betejën e nisur dhe do të dalë nga kriza u shpreh kryeministri grek, Antonis Samaras, duke folur në komitetin politik të Demokracisë së Re, ku siguroi gjithashtu se në Greqi nuk do të ketë masa të reja shtrënguese.
Sot vendi është në një betejë për të kapërcyer krizën e paprecedent në dekadat e fundit. Do të dalim prej saj dhe do tiu japim optimizëm dhe buzëqeshje fëmijëve tanë, theksoi Samaras.
Kryeministri tha se ishin të shumtë ata që paragjykonin se qeveria tripartiake do të binte, dhe se Greqia do të dilte nga eurozona.
Ne mbajtëm dy prej angazhimeve paralektorale, e mbajtëm vendin në euro dhe arritëm ndryshimin e marrëveshjes për kredinë, duke reduktuar borxhin, madje duke arritur edhe zgjatjen e afatit të zbatimit të programit, deklaroi Samaras.
Kemi bërë shumë, dolëm nga reanimacioni, por jo dhe nga spitali. Tani kemi përpara nesh sfidën e rimëkëmbjes dhe të zhvillimit, duhet të lehtësojmë shtresat më të ulëta dhe të vemë në vend padrejtësitë, tha kryeministri grek.
Ndërkaq në një intervistë për gazetën austriake \"Der Standard\" ministri gjerman i Financave Wolfgang Schauble tha se Greqia po bën progres të dukshëm në rimëkëmbjen ekonomike.
Ai vuri në dukje se edhe në raportin e fundit të Trojkës vërtetohet që Greqia po zbaton programin siç është rënë dakord, deficiti po reduktohet, eksportet po shtohen dhe këtë javë u shënua, për herë të parë, ulje e numrit të të papunëve.
Më tej, shton se sot është veçanërisht i dukshëm një përmirësim i qartë i treguesve kryesorë të ekonomisë greke.
Greqia arriti brenda tremujorit të kaluar suficit në eksportet në raport me vendet jashtë eurozonës, kompetiviteti i ekonomisë po përmirësohet, llogaritë korrente po balancohen përherë e më tepër, vendi po e merr veten në turizëm dhe në fusha të tjera.
\"Për mendimin tim, vështirësitë nuk kanë kaluar ende, por grekët janë të gatshëm për të realizuar një kthesë\", tha Schauble.
Duke iu referuar samitit të Eurogrupit nëntorin e ardhshëm, Schauble vë në dukje se aty do të shqyrtohen masa të mëtejshme ndihme, nëse Greqia respekton të gjitha kushtet dhe paraqet një suficit primar, çka mund të ndodhë në vitin 2014.
Sipas zotit Schauble, përgjegjësinë për situatën e vështirë ekonomike të Greqisë nuk e sjell programi i ndihmës, por dështimi për dekada, i elitave të papërgjegjshme politike në vend, që sakrifikuan ekonominë e Greqisë për interesat e tyre afatshkurtëra dhe për interesat e grupeve të caktuara.
Schauble deklarohet optimist për zhvillimet, duke patur bindjen se do të duhet hap pas hapi të vihet rregull në financat që kanë devijuar dhe në të ardhmen ekonomia të bëhet konkurruese
Lexoni me shume per temën: Samaras: Nuk ka masa të tjera shtrënguese tek albanians.gr