Grekët e italianët kërkojnë punë në Shqipëri
Tiranë, 15 janar - Shtohen kërkesat e italianëve dhe grekëve për të punuar në Shqipëri. Kriza ekonomike ka ndikuar në zhvendosjen e tyre nga vendet e origjinës.
Gjatë vitit 2012 janë pajisur me leje punësimi mbi 260 shtetas italianë dhe rreth 250 grekë.
Edhe pse shtetasit turq janë të parët në rendin e lejeve, ata qëndrojnë në të njëjtin nivel si në vitin 2011. Gjithsej, vitin që lamë pas janë pajisur me leje qëndrimi afro 2500 shtetas të huaj.
Fluksin më të madh këtë vit e kemi pasur nga Turqia, dhe vjet kemi pasur një tendencë në rritje të shtetasve turq, që pasoheshin nga shtetasit kinezë, ndërsa sivjet në vendin e dytë kemi shtetasit italianë dhe pastaj vijnë ata grekë, kinezë dhe kanadezë, thonë specialistët e Shërbimit Kombëtar të Punësimit.
Pjesa më e madhe e personave nga shtete të tjera janë punësuar në sektorin e ndërtimit të rrugëve, në industrinë minerale dhe atë nxjerrëse. Ndërkohë që një numër fare i vogël janë investitorë, të cilët kanë hapur biznese.