Grekë protestojnë kundër masave shtrënguese ekonomike
Athinë, 2 mars - Mijëra grekë u mblodhën para një hoteli në qendër të Athinës për të protestuar kundër masave shtrënguese që qeveria greke po diskuton me huadhënësit.
\"Askush nuk mund të jetojë në vitin 2017 me kushte jetese si të periudhës së pasluftës. Nuk është e drejtë që fëmijët të shkojnë në shkollë të uritur. Nuk është e drejtë që të shpërndahet supë, sikur të ishim në kohë lufte apo pushtimi\", tha një protestues.
Autoritetet greke së bashku me ekspertët e BE-së dhe të FMN-së kanë filluar një rishikim të programit të reformave në vend.
Qeveria greke ka refuzuar uljen e mëtejshme të pensioneve si pjesë e masave shtrënguese, duke theksuar se shkurtimet janë shumë të mëdha.
Kreditorët janë të përçarë përsa i përket shumës nga buxheti që qeveria duhet të përdorë për shlyerjen e borxhit. Ndërsa BE-ja propozon që 3.5% e buxhetit grek të përdoret për shlyerjen e kredive, FMN-ja është e mendimit se për momentin 1.5% e tij është e mjaftueshme.