07 Nëntor 2024

Gratë shpenzojnë më shumë në edukim e shëndetësi, ndërsa burrat duhan e pije

Prishtinë, 2 nëntor - Sot, Instituti GAP organizoi një tryezë diskutimi ku u prezantua analiza “Dallimet në menaxhimin e buxhetit familjar nga gratë dhe burrat”. 

Në fjalën hyrëse, Jeton Mehmeti, Drejtor i Hulumtimeve në Institutin GAP, theksoi se qëllimi i këtij hulumtimi ka qenë të shihen dallimet në mes të grave dhe burrave kryefamiljarë se si e shpenzojnë buxhetit e familjes.

Të gjeturat sipas tij tregojnë se gratë kryefamiljare shpenzojnë më shumë nga buxheti i familjes në zhvillimin e kapacitete njerëzore sikurse në edukim dhe shëndetësi, ndërsa burrat kryefamiljarë shpenzojnë më shumë për konsum, ku më të theksuara janë shpenzimet për duhan, ushqim, dhe pije.

Blendi Hasaj, Hulumtues në Institutin GAP, shpjegoi metodologjinë e hulumtimit, duke shtuar se meqë gratë kryefamiljare shpenzojnë buxhetin më mirë për mirëqenien e familjes, do të duhej që ato të ishin më shumë si bartëse të ndihmave sociale.

Në Kosovë aktualisht janë mbi 26,000 familje të cilat marrin ndihmë sociale, por vetëm 32% e bartësve të ndihmave sociale janë gra ndërsa 68% janë burra. Andaj, qeveria do duhej ta rriste numrin e bartëseve gra të ndihmës sociale.

Kjo mund të bëhet duke ndryshuar Ligjin për skemat e ndihmës sociale, duke paraparë shuma më të larta të ndihmës sociale për rastet kur aplikojnë gratë. Një hap i tillë do të shërbente si incentivë për ekonomitë familjare që bartëse të ndihmës të jenë gratë pasi që një vendim i tillë do të rezultonte me të hyra mujore më të larta për ta.

Naser Rugova, anëtar i Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, vlerësoi metodologjinë e zgjedhur për analizën duke thënë se një studim i tillë do ta ndihmojë atë anëtarë i komisionit si dhe deputetët e tjerë për të prioritizuar politika të tilla.

Ai shtoi se Kosova duhet të ketë një mjedis më të mirë për tu ofruar mundësi punësimi personave që aktualisht janë pjesë e skemës së ndihmës sociale.

Venera Demukaj, profesoreshë në RIT Kosova, theksoi se të gjeturat e  Institutit GAP konfirmojnë gjetjet e studimeve empirike në vendet tjera në zhvillim të cilat tregojnë se gratë kanë tendencë që të shpenzojnë buxhetin në mënyrë më optimale.

Sipas znj. Demukaj, të dhënat empirike po ashtu tregojnë se gratë vazhdojnë të jenë të varura nga burrat në shpenzimin e buxhetit.

Një në tre gra nuk marrin pjesë në vendimmarrje për shpenzimin e buxhetit familjar, dhe një në dhjetë gra të cilat i fitojnë të ardhurat e tyre nuk kanë pavarësi në shpenzimin e tyre.

Mes tjerash ajo përmendi modele nga shtete tjera që kanë qenë të suksesshme në avancimin e të drejtave të grave për të menaxhuar buxhetin e familjes.

Gjatë kësaj konference Instituti GAP prezantoi edhe një raport statistikor mbi shkallën e punësimit të përfaqësimit të grave.

Në debat kontribuuan edhe deputet të tjerë të Kuvendit të Kosovës, përfaqësues nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, si dhe pjesëtarë të organizatave të shoqërisë civile.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)