Gratë e vajzat e pakënaqura me Buxhetin e vitit 2013
Prishtinë, 19 nëntor - Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës ka dërguar një letër të hapur të gjithë anëtarëve të parlamentit për të shprehur paknaqësinë ndaj kalimit të leximit të parë të Buxhetit të Kosovës për vitin 2013.
Lexoni letrën në vazhdim:
Ne, si qytetare të Republikës të Kosovës, jemi krejtësisht kundër kalimit në leximin e parë të Buxhetit të Kosovës për 2013-ën nga Qeveria dhe Parlamenti. Nuk pajtohemi me mënyrat në të cilat zyrtarët tanë të zgjedhur kanë vendosë ti shpenzojnë paratë e tatimeve tona. Besojmë se ky buxhet nuk pasqyron interesat kryesorë të qytetarëve të Kosovës. Përveç kësaj, buxheti nuk i plotëson as për së afërmi nevojat specifike të grave e vajzave, përkundër faktit se Ministrja e Financave, Lila-Kusari, është zotuar publikisht për buxhetim që do i përgjigjej nevojave gjinore.
Jemi thellësisht të shqetësuara që shpenzimet kapitale përbëjnë 41% të buxhetit qendror të Kosovës. A na duhen edhe më shumë ndërtesa qeveritare? Çka përfiton një qytetar i Kosovës nga Shtëpia e Bardhë prej 1 milion eurove për Presidencën? Pos kësaj, jemi të tmerruara për shkak se më shumë se 22% e buxhetit tonë janë nda për rrugë (267,700,000). A janë rrugët më të rëndësishme se mirëqenia e Kosovarëve? Si do të kontribuojnë këto investime në zhvillimin njerëzor - si të grave ashtu edhe të burrave? Besojmë se nuk janë vlerësuar në mënyrë adekuate implikimet e këtyre investimeve në zhvillimin njerëzor afatshkurtë dhe afatgjatë.
Në anën tjetër, sipas propozim-buxhetit mbesin të keqfinancuara fushat që kanë potencial të mirëfilltë për të bërë investime në zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien sociale për shumë kosovarë që mundohen të jetojnë e punojnë në zonat rurale (p.sh. nga buxheti i Ministrisë të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural prej 23,359,230; Departamentit të Zhvillimit Rural i janë nda 109,050).
E dimë se arsimi si fushë parësore krijon mundësi për të siguruar që kosovarët të garojnë për vende pune në tregjet lokale dhe globale (p.sh. mundësonë krijimin e remitancave të vazhdueshme nga të cilat mbijetojnë shumë kosovarë), mirëpo nuk besojmë se qeveria ka planifiluar të investoj sa duhet për të ofruar mundësi për arsim cilësor. Gjysma e buxhetit të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë prej 44,679,592 do të shpenzohet në shpenzime kapitale (22,650,000), gjë që jo domosdo e ngritë cilësinë e arsimit që ofrohet.
Shpenzimet e lidhura me rendin e ligjin përfshijnë vetëm 10% nga buxheti qendror për 2013-ën, duke e rrezikuar kështu aftësinë e policisë dhe gjyqësorit për të siguruar rend e ligj. Ky planifikim do të anashkaloj gjithsesi nevojën për zhvillimin njerëzor dhe mirëqenien sociale. Shëndetësia merr vetëm 8.85% të buxhetit, ndërsa Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale 18.4%.
Planifikimi buxhetor i paraparë nuk ndanë mjete të mjaftueshme për programe kyçe drejt përmirësimit të mirëqenies së grave e vajzave, si dhe të qytetarëve në përgjithësi. Agjencioni për Barazi Gjinore, me 185,770, nuk do të arrij të mbuloj nevojat dhe programet e planifikuara, e që gjithsesi do të ketë ndikim në mundësinë e këtij agjensioni për të siguruar se barazia gjinore është bërë pjesë kyçe e zhvillimit e të gjitha niveleve në Kosovë, në pajtim me Ligjin për Barazi Gjinore. Ligjet dhe programet tjera për barazinë gjinore, përfshi Programin dhe planin e veprimit kosovar kundër dhunës në familje, janë lënë të pa adresuara sikurse në 2012-ën, përkundër rekomandimeve që, përveç tjerëve, i ka bërë edhe Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës.
Si përfundim, besojmë se ky buxhet nuk i adreson mjaftueshëm prioritetet e Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve, që është zotuar për zhvillim ekonomik, rend e ligj, zhvillim njerëzor dhe mirëqenie sociale. Apelojmë tek ju që menjëherë të ndërmerrni veprime për ta rishikuar dhe përmirësuar buxhetin e vitit 2013 ashtu që të adresohen më mirë nevojat e mirëfillta e prioritare të grave e burrave në Kosovë, pra ato që mundësojnë zhvillim njerëzor e jo vetëm të atyre që mundësojnë projekte personale të disa zyrtarëve qeveritarë.
Sinqerisht,
Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovësgjermane.