Gratë amerikane paguhen 23% më pak se burrat në të njëjtën punë
Washington, 11 prill - Senati amerikan nuk ka arritur të hapë për debat një projekt-ligj që synonte të luftonte diskriminimin në paga mes burrave dhe grave për të njëjtën punë.
Projekt-ligji është një ndër elementët e një beteje partiake lidhur me gjendjen ekonomike të vendit, ku secila nga partitë kryesore po i mëshon axhendës së vet në përgatitje për zgjedhjet e nëntorit për Kongres.
Sipas Zyrës së regjistrimit të popullsisë, gratë amerikane paguhen 23% më pak se burrat në të njëjtën punë. Ky realitet duhet të ndryshojë, thotë Senatorja Elizabeth Warren:
\"Në 99.6% të të gjitha profesioneve, burrat paguhen më shumë se gratë. Kjo nuk është e rastësishme; kjo përbën diskriminim.
Ndër ndryshimet e tjera, projektligji parashikon rritjen e transparencës për të mbrojtur punonjësit nga masa ndëshkuese nëse ua bëjnë të ditur pagën kolegëve të tyre. Aktualisht, shumë punë-dhënës nuk i lejojnë punonjësit të diskutojnë me kolegët rrogën e tyre, gjë që rezulton në mbajtjen të fshehur të pabarazisë në paga.
Senatori demokrat Richard Durbin tha se diskriminimi në pagë mbi baza gjinore ndëshkon gratë jo thjesht gjatë viteve të punës, por edhe më tej:
\"Nuk bëhet fjalë thjesht për një rrogë më të vogël për të njëjtën punë, por edhe përfitime më të ulëta sociale kur dalin në pension. Gratë nuk paguhen në të njëjtin nivel me burrat, gjë që i dëmton për gjithë jetën.
Demokratët kërkojnë gjithashtu rritje të rrogës minimale në shkallë kombëtare si dhe zgjatjen e asistencës së papunësisë. Të gjitha këto propozime ndeshen me kundërshtime nga republikanët, të cilët i akuzojnë demokratët për manovra politike në përpjekje për të fshehur gjendjen e dobët ekonomike të vendit nën Presidentin Obama. Senatori republikan John Thune shprehet:
\"Demokratët po bëjnë lojëra politike me pagën e barabartë për të larguar vëmendjen nga dëmi i vërtetë që politikat e tyre u kanë shkaktuar grave. Për momentin, ka 3.7 milionë më shumë gra që jetojnë në varfëri krahasuar me momentin kur presidenti mori postin. Nëse demokratët duan vërtetë të ndihmojnë gratë, ata do të punonin me republikanët për një projekt-ligj që krijon vende pune dhe mundësi të reja si për gratë ashtu edhe për burrat.
Senatori Thune tha se projekt-ligji do të hidhte mbi punë-dhënësit barrën e gjyqeve të kushtueshme që janë të leverdisshme për avokatët shumë më tepër se për gratë. Senatori Durbin është i tjetër mendimi dhe beson se votuesit do ta thonë fjalën e tyre në zgjedhjet e nëntorit, kur hidhen votat për 1/3 e Senatit dhe të gjithë anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve.
\"Populli amerikan do të thotë fjalën e fundit. Ata do të shprehen përmes votës, kur të vendosin nëse kjo është temë e rëndësishme.
Asnjë senator republikan nuk votoi me shumicën demokrate për të hapur debatin mbi projekt-ligjin, i cili nuk arriti të marrë 60 votat e nevojshme.