26 Dhjetor 2024

GLPS vë në pah mangësitë e sistemit të financimit të subjekteve politike

Prishtinë, 16 janar - Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), ka mbajtur sot konferencën për media me temën “Financimi i partive politike në Kosovë: Cilat janë problemet kryesore që po dëmtojnë transparencën dhe integritetin e financimit gjatë proceseve zgjedhore?”.

GLPS ka theksuar që rreth 1 milion euro është shuma financiare që iu është lejuar partive politike që do të garojnë në zgjedhjet e 14 shkurtit për të shpenzuar për fushatën zgjedhore.

Sipas përvojave në fushatat zgjedhore që nga paslufta, shumica e partive politike vazhdimisht e kanë mbajtur të fshehtë shumën e saktë të shpenzimeve, burimet e financimit të fushatës zgjedhore, si dhe kanë tejkaluar shumën e përcaktuar nga KQZ-ja.

Në këtë drejtim, GLPS ka hartuar një listë kërkesash drejtuar të gjitha partive politike në Kosovë, të cilat ndër të tjera, do duhej të respektoheshin në tërësi gjatë fushatës zgjedhore të zgjedhjeve të datës 14 Shkurt 2021.

Sipas raporteve të auditorit të publikuara për herë te fundit për vitin 2017, asnjëra nga partitë kryesore nuk ishin vlerësuar me një opionin të pakualifikuar.

Përkatësisht, asnjëra nga to nuk ka arritur që t’i paraqes pasqyrat financiare sipas standardeve të kërkuara të kontabilitetit, nuk kan aplikuar procedura prokurimi për të gjitha blerjet dhe nuk kanë paraqitur dokumentacion mbështetës pëe për vlera të larta të shpenzimeve.

Kjo bie në kundërshtim me dispozitat ligjore në vend. Respektimi i procedurave të tenderimit do të mundësonte një shfrytëzim më efikas, ekonomik, transparent, dhe më të drejtë të fondeve të partive politike.

Ndërsa për zgjedhjet e përgjithshme të 6 tetorit të vitit 2019, fatkeqësisht, mungojnë raportet e auditorit pasiqë Komisioni për Mbikqyrjen e Financave Publike dështoi të përzgjedh auditorin e ri. Gjithsesi, në raportet e paaudituara financiare të publikuara nga ana e KQZ-së, në listat e emrave të donatorëve, përveq anëtarëve të partive dhe disa personave individual, nuk figurojnë bizneset si financues. Raporti mes donatorit dhe partisë politike gjatë fushatës zgjedhore duhet të respektohet sipas legjislacionit në fuqi dhe të bëhet i ditur për publikun.

Duke konsideruar të gjitha më lartë, një qasje e tillë nga partitë politike dëmton imazhin e Kosovës edhe në rrafshin ndërkombëtar. Rikujtojmë se Raporti i fundit i Komisionit Evropian ka shfaqur shqetësime për gjendjen e financimit të partive politike në Kosovë, dhe ka bërë thirrje për transparencë të shtuar në këtë aspekt.

Në këtë drejtim, këto janë kërkesat e Grupit për Studime Juridike dhe Politike:

·         GLPS bën thirrje që partitë politike të bëjnë transparente shpenzimet e tyre gjatë fushatës zgjedhore, duke i publikuar në kohë të gjitha të hyrat dhe shpenzimet në një mënyrë që të jenë të qasshme për çdo qytetar

·         Partitë politike duhet të publikojnë listën e të gjithë donatorëve dhe shumat e dhuruara për aktivitetet e tyre në mënyrë që të parandalohen aferat e mundshme korruptive në mes të  partive politike dhe donatorëve të tyre, sidomos gjatë procesit të tenderimit publik. Prandaj, duhet evituar tw gjitha donacionet nga të cilat dhuruesi në mënyrë të qartë mund të përfitoj ndonjë avantazh ekonomik. Të gjitha donacionet të kenë të përfshire emrin dhe numrin e regjistrimit për personat juridik, dhe për emrin, mbiemrin dhe adresën për personat fizik;

·         Partitë politike të mbesin në kuadër të limiteve të përcaktuara nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve;

·         Çdo parti politike duhet të autorizojë një zyrtar financiar që mban përgjegjësinë për regjistrimin e të ardhurave, shpenzimin e mjeteve, dorëzimin e raportit final të mjeteve të harxhuara dhe pregaditjen e raportit financiar të fushatës zgjedhore. Ky zyrtar financiar dhe kryetari i subjektit politik janë ligjërisht përgjegjës për saktësinë e të gjitha informatave të cilat duhet të dorëzohen në KQZ. Gjithashtu cdo subjekt politik duhet të ketë dëftesat për të gjitha shpenzimet që tejkalojnë shumën prej njëqind euro (100 €);

·         Raportet financiare për shpenzime gjatë fushatës zgjedhore duhet të përfshijnë edhe ato nga degët  dhe pjesët përbërëse të tyre, për periudhën që fillon nëntëdhjetë (90) ditë para zgjedhjeve dhe me mbarim në ditën e zgjedhjeve. Raporti financiar dorëzohet jo më vonë se dyzetë e pesë (45) ditë kalendarike pas ditës së zgjedhjeve;

·         Gjithashtu, ftojmë KQZ-së që sipas kompetencave ligjore të rregulluara me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe rregulloret mbi Financimin e partive politike dhe sanksionet, të i’u shqiptoj gjoba partive politike të cilat vonohen në dorëzimin e raporteve financiare.

Si përfundim, Grupi për Studime Juridike dhe Politike iu bën thirrje partive politike që të respektojnë Ligjin për Financimin e Subjekteve Politike dhe të bëjnë publike raportet e tyre financiare pa pasur nevojë për ndonjë presion të jashtëm. Mënyra e financimit të partive politike në këtë proces është qenësore për integritetin e procesit zgjedhor, prandaj transparenca financiare përbën një element demokratik për të cilin secili qytetar i Kosovës duhet të njoftohet.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)