GLPS e kundërshton themelimin e një gjykate të veçantë komerciale
Prishtinë, 9 korrik - Ministria e Drejtësisë së fundmi ka dal me idenë e themelimit të një gjykate të veçantë komerciale, me jurisdiksion specifik të fushës së të drejtës biznesore dhe komerciale.
Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) e kundërshton një plan të tillë duke vlerësuar këtë tendencë të hapur për të ikur nga problemet e vërteta të kapjes së sistemit, korrupsionit, mungesës së efiqencës dhe profesionalizmit në sistemin e drejtësisë dhe vet Ministrinë e Drejtësisë (MD).
"Për fillim, rikujtojmë që Ministria e Drejtësisë ka udhëhequr paralelisht së paku dy programe “reformuese”, të ashtuquajturin ‘Rishikim Funksional të Sistemit të Drejtësisë’, dhe të ashtuquajturën ‘Drejtësia 2020’."
"Të dyja këto, deri më tani kanë dështuar të japin ndonjë rezultat esencial që kontribuon në përmirësimin e funksionimit të sistemit të drejtësisë, apo edhe që të ofrojnë qoftë edhe një plan apo drejtim që duhet të orientojnë reformën në sistemin e drejtësisë", thekson GLPS.
I të njëjtës linjë është edhe plani i Ministrisë së Drejtësisë për themelimin e një gjykate komerciale, e cila, për sqarim të opinionit publik sipas GLPS-se nuk do të prodhonte asnjë ndryshim funksional në strukturën jurisdiksionale të sistemit gjyqësor të Republikës së Kosovës.
Sot për sot, nevoja për administrim të mirë të drejtësisë nuk lidhet me themelimin e trupave të reja, të tilla çfarë kanë ekzistuar edhe para vitit 2013 (siç ka qenë gjykata ekonomike) por me ngritjen e performancës, integritetit, profesionalizmit të gjyqtarëve, dhe me ndarjen e gjyqësorit nga ndikimi politik apo grupeve që seriozisht në vazhdimësi kanë abuzuar me detyrën zyrtare dhe privilegjet publike.
Prandaj, GLPS i rikujton Ministrisë së Drejtësisë që themelimi i një gjykate të veçantë komerciale është zgjidhur së pari me reformën strukturore të sistemit të drejtësisë të vitit 2013.
"Kosova nuk e ka hapësirën të bëj ndryshime strukturash (fasadë) çdo tre vite, dhe atë pa pasur asnjë vlerësim serioz dhe substancial."
"Asnjë argument i bazuar apo analizë në mirëbesim kundër organizimit aktual të sistemit të drejtësisë nuk është dhënë nga MD-ja."
"Përkundrazi, argumentet për mos-funksionimin e Departamentit Ekonomik (përfshirë divizionin e saj për Kontestet në lidhje me investitorët e huaj) pranë Gjykatës Themelore të Prishtinës (që aktualisht bartë jurisdiksionin e centralizuar për tërë Kosovën, dhe i cili do t’i transferohej një gjykate komerciale) lidhen me mungesën e numrit të gjyqtarëve, nivelin e tyre të pakënaqshëm profesional në shumë raste, dhe një sistem të paqartë të kuptimit të së drejtës biznesore dhe komerciale nga palët, komunitetit të avokatëve dhe/apo gjyqtarëve relevant", konsideron GLPS.
Këto probleme sipas GLPS-se nuk zgjidhen me themelimin e një njësie të re organizative, si gjykata komerciale, përkundrazi kërkohet që të intervenohet në substancën e problemit dhe jo në formën apo fasadën e saj.
Ishte po e njëjta formë e argumentimit që lidhte rritjen e pagave në sistemin e drejtësisë me rezultatet e prekshme. Kjo e fundit u tregua të jetë jo vetëm e pavërtetë por gjithashtu pa asnjë ndërlidhje me thelbin e problemit që ka sundimi i ligjit në Republikën e Kosovës.
Prandaj, GLPS e sheh këtë plan të MD-së si një reformë fasadë, e cila nuk adreson problemet kryesore të funksionimit të dobët të gjykatave dhe sistemit të drejtësisë në përgjithësi.
"MD-ja duhet të avokojë për një veting rrënjësor të sistemit të drejtësisë, ç’kapje të disa nga figurave kryesore të tij nga politika, dhe një adresim shumë më serioz të performancës dhe profesionalizmit të gjyqtarëve dhe prokurorëve."
"Kosovës nuk i duhen më shumë gjykata, por më shumë llogaridhënie, integritet e profesionalizëm dhe matje sistematike të performancës në sistemin e drejtësisë", vlerëson në fund GLPS.