15 Janar 2025

Gjysmë milioni euro shpenzime javore për vetura

Prishtinë, 8 nëntor - Vetëm gjatë pesë ditëve të para të këtij muaji, institucionet e Kosovës kanë shpenzuar hiç më pak se 550 mijë euro për blerjen e veturave zyrtare.

Më së shumti para ka shpenzuar Ministria e Shëndetësisë, e cila në tri pjesë të tenderit të shpallur për furnizim me automjete dhe autoambulanca ka shpenzuar rreth 338 mijë euro. Dy pjesë të këtij tenderi i ka fituar kompania “Auto Kaqandolli”, ndërsa një tjetër “Baholli”.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë të martën(dje) ka shpallur fitues të tenderit për furnizim me veturë kompaninë “Autotrade shpk (Toyota)”, ku vlera e kontratës është 23 mijë e 480 euro.

Të hënën më 5 nëntor 2012, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë e ka shpallur fitues të tenderit për furnizim me vetura kompaninë “Hyundai”, pasi që ka ofruar një çmim prej 29 mijë e 980 euro.

Komuna e Shtërpcës më 5 nëntor 2012 ka shpallur fitues kompaninë “Mercom”, e cila ia ka shitur dy vetura sanitare për 70 mijë e 480 euro.Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës ka blerë një veturë të re nga “Auto Kaqandolli” për 14 mijë e 500 euro.

Edhe Agjencia Kosovare Kundër Korrupsionit(AKK) ditë më parë ka blerë një veturë të re nga “Auto Siqani” për 16 mijë e 190 euro. I njëjti operator do ta furnizoj me automjete edhe Prokurorinë e Shtetit, pasi që është shpallur fitues i tenderit në vlerë prej 52 mijë e 650 euro.

Në anën tjetër, përfaqësuesit e shoqërisë civile kritikojnë Qeverinë e Kosovës se po vazhdon me avazin e vjetër që në dy muajt e fundit të vitit ta shpenzojnë buxhetin, në mënyrë që mos t’i mbeten mjete suficit.

“Kjo është shumë e palogjikshme. Më mirë është të mbeten mjete suficit dhe të barten në vitin tjetër, sesa të shpenzohen kaq shumë para për vetura”, thotë Ibrahim Rexhepi nga Organizata Joqeveritare “Stras”.

Sipas tij, vendimi për blerje të shpeshta të veturave është i palogjikshëm dhe i paarsyeshëm, pasi që vendi ka shumë prioritete tjera, ku do të mund të destinoheshin shpenzimet buxhetore.

Ai shtonë se duke marrë parasysh se gjatë dy mandateve të fundit të kësaj Qeverie, përkatësisht nga viti 2008 e deri më tani, janë blerë shumë vetura të reja dhe njëkohësisht janë shitur shumë vetura si të amortizuara.Sipas tij, për 4-5 vjet një veturë nuk mund të amortizohet dhe të shitet me një çmim minimal, pasi që jetëgjatësia e tyre është më e gjatë, prandaj do të ishte mirë të riparohen.

“Më mirë do të ishin të riparohet veturat e tilla që po shiten me çmime minimale se sa të shpenzohen miliona euro në vetura të reja, në mënyrë që të kursehen paratë e buxhetit të shtetit”, pohon Rexhepi.

Përndryshe,muaj më parë gazeta “Zëri” ka raportuar se përmes një ankandi publik, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, e cila udhëhiqet nga Mimoza Kusari-Lila, ka nxjerrë në shitje 283 vetura, ku për shumicën prej tyre janë caktuar çmime minimale. Pjesa dërmuese e këtyre veturave kanë qenë xhipa të markës “KIA”, e të cilët nuk janë në gjendje të rregullt teknike. Çmimi i një “KIA” ka sillej nga 300 euro deri në 1500 euro, ndërsa për një “Golf 5” të prodhuar në vitin 2008, çmimi fillestar ka qenë 1300 euro.

Grafika:

Shpenzimet javore për vetura

Ministria e Shëndetësisë= 338 mijë euro

Komuna e Shtërpcës = 70 mijë e 480 euro.

Prokuroria e Shtetit= 52 mijë e 650 euro.

Ministria e Tregtisë = 29 mijë e 980 euro.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë= 23 mijë e 480 euro.

Agjencia Kundër Korrupsionit= 16 mijë e 190 euro.

Agjencia Shtetërore e Arkivave= 14 mijë e 500 euro.

 

/zeri/

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)