06 Nëntor 2024

Gjilani u jep 15 ditë afat borxhlinjve të tatimit në pronë

Gjilan, 1 tetor - Drejtori i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Zijadin Maliqi, ka mbajtur sot konferencë për media, që njëkohësisht ka hapur ciklin e ri të konferencave të drejtorëve, në kuadër të transparencës dhe informimit të qytetarëve me ç’rast ka potencuar buxhetin e aprovuar për vitin 2019 dhe njëkohësisht ka apeluar te qytetarët që të bëjnë pagesat e faturave të Tatimit në Pronë.

Drejtori Maliqi, lidhur me votimin e buxhetit të Komunës së Gjilanit për vitin 2019 ka falënderuar këshilltarët komunal që i kanë dhënë përkrahje buxhetit të përgatitur nga drejtoria e Financave dhe i njejti wshtw proceduar nw Ministrinw e Financave.

“Planifikimi i buxhetit për vitin 2019 ka kaluar të gjitha fazat e parapara me ligj, që nga Korniza Afatmesme Buxhetore, dëgjimet buxhetore nëpër terren, konsultimin me drejtorët e drejtorive përkatëse dhe javën e kaluar është votuar edhe në Kuvendin e Komunës. Buxheti për vitin 2019 është 25 milionë e 508 mijë e 785 euro. Prej këtij buxheti mbi 21 milionë janë mjete nga granti qeveritar, 4 milionë e 465 mijë 884 euro, janë nga të hyrat vetanake që destinimi i tyre është për investime kapitale. Me këtë buxhet financohet arsimi me mbi 52 për qind, pastaj administrata komunale me afro 35 për qind, shëndetësia e mbi 13 për qind e kështu me radhë”, ka thënë drejtori Maliqi.

Ai ka potencuar se buxheti për investime kapitale në shumicë shkon për investime në infrastrukturë publike, që siç ka njoftuar ai, ka qenë edhe kërkesë e qytetarëve, pastaj një pjesë shkon për zhvillimin ekonomik dhe bujqësinë, për arsimin dhe shëndetësinë.

Gjithashtu drejtori Maliqi, ka potencuar edhe ndryshimet e ligjit për tatimin në pronë dhe ka apeluar te qytetarët që ti përgjigjen pagesave, sepse në të kundërtën në bazë të këtij ligji, duhet të veprohet përmes përmbaruesve që është një rrugë e mundimshme për borgjlinjtë.

“Prej sot ka hyrë në fuqi ligji i ri për tatimin në pronë, me numër 06/L-005/2018, që parashihen ndryshime për inkasimin e borxheve. Njëra prej formave është edhe inkasimi me përmbarim. Ne kemi filluar me këtë formë, konkretisht ne kemi lëshuar vërejtjet e fundit për 52 borxhlinjë (biznese kryesisht) që janë në vlerë të borxhit prej mbi 5 mijë euro dhe u kemi dhënë afatin prej 15 ditësh për pagesën e obligimeve, para se të filloj punën përmbaruesi. Vetëm këta 52 obligues kanë borxhin prej mbi një milion e 100 mijë eurosh. Në fazen e dytë do të fillojmë me obliguesit prej vlerës një mijë euro deri në pesë mijë euro, e kështu me radhë. Vlera e borxheve ndaj Komunës së Gjilanit vetëm në sektorin e Tatimit në Pronë është mbi 7 milionë euro”, ka thënë në fjalën e tij drejtori Maliqi.

Edhe afatet kohore sipas ligjit të ri, siç ka njoftuar drejtori, kanë ndryshuar nga ligji i deritanishëm, i cili deri më tani kishte dy periudha kohore, 30 qershorin dhe 31 dhjetorin, ndërsa me ligjin e ri afatet kohore janë 30 prilli dhe 30 shtatori.

Gjithashtu me këtë ligj pos tjerash për herë të parë është paraparë edhe tatimi i tokës, ka njoftuar drejtori i Financave Zijadin Maliqi.

“Prej vitit 2019, do të fillohet me tatimimin e tokave të pa kultivuara. Toka e cila punohet edhe më tutje do të jetë e liruar nga tatimi. Këtu është qëllimi i punimit të tokës dhe njëkohësisht stimulimi i bujkut. Prej vitit 2019 fillohet tatimimi me një përqindje të vogël, por duke e rritur nga viti në vit”, ka përfunduar ai. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)