17 Nëntor 2024

Gjilani themelon Këshillin Lokal Konsultativ të Biznesit

Prishtinë, 24 tetor - Me iniciativën dhe mbështetjen e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, në Gjilan u nënshkrua Memorandumi i Mirëkuptimit për themelimin e Këshillit Lokal Konsultativ midis bizneseve të rajonit të Gjilanit dhe Komunës së Gjilanit.

Sipas këtij Memorandumi, palët pajtohen për themelimin e Këshillit Lokal Konsultativ duke pasur parasysh nevojën për bashkëpunim të shtuar për zhvillim ekonomik të komunës në të cilën ata operojnë, përmirësimin e dialogut publiko-privat, lehtësimin e komunikimit me nivelin qendror të qeverisjes, adresimin dhe zgjidhjen e problemeve dhe sfidave me të cilat përballet sektori privat në komunën e Gjilanit, si dhe përmirësimin e ambientit afarist në të.

Me nënshkrimin e Memorandumit, u krijua edhe trupi i përkohshëm drejtues i cili përbëhet nga përfaqësuesit e Komunës,  përfaqësuesi i kompanisë “Adea Group” dhe “Enrad” si përfaqësues të kompanive prodhuese, “Gazi&Edi Group” si përfaqësuese e kompanive tregtare, “Global Consulting Development Associates” si përfaqësues e kompanive të shërbimeve profesionale, dhe kompania “Vali Ranch” si përfaqësuese e kompanive nga sektori HORECA.

Në hapje të këtij takimi, drejtori i Odës Amerikane, Arian Zeka theksoi rëndësinë e bashkëpunimin publiko-privat, duke e cilësuar nënshkrimin e këtij Memorandumi dhe formimin e Këshillit Konsultativ si një nismë të mbarë drejt zgjidhjes së problemeve dhe shqetësimeve të komunitetit të biznesit, gjithashtu edhe si një mekanizëm formal që hap rrugën për komunikim më të mirë në mes palëve të këtij partneriteti.

Ndërsa, Drejtori për Zhvillim Ekonomik në Komunën e Gjilanit, Ismajl Januzi falënderoi Odën Amerikane për bashkëpunimin dhe iniciativën për krijimin e këtij këshilli, i cili sipas tij do të shërbejë si organ që do të forcojë këtë partneritet përmes avokimit drejt zgjidhjes së problemeve që kanë bizneset si dhe kontributit të bizneseve në zhvillimin ekonomik lokal. Januzi më tej shtoi se brena një kohe të shkurtër do të mbahet një takim tjetër i Këshillit me numër më të madh të bizneseve ku do të bëhet edhe emërimi i strukturave të përhershme qeverisëse të tij.

Në anën tjetër, përfaqësuesit e kompanive gjilanase si anëtare themeltare të Këshillit Konsultativ të kësaj Komune, përkrahën këtë iniciativë, duke ofruar mbështetjen dhe gatishmërinë e tyre për të kontribuar. Njëkohësisht, ata u shprehën optimist se adresimi i kërkesave dhe shqetësimeve të tyre përmes këtij këshillit, tek institucionet përkatëse, do të mirren parasysh dhe do të trajtohen më me seriozitet.

Nënshkrimi i Memorandumit nga dy palët shënoi një hap të rëndësishëm drejt zhvillimit të mëtutjeshëm ekonomik dhe ngritjes së bashkëpunimit të mirëfilltë në mes të Komunës dhe komunitetit biznesor, propozim ky i promovuar nga ana e Odës Amerikane edhe në takimet e mbajtura në komunat e tjera ndërmjet përfaqësuesve të sektorit privat dhe administratave komunale. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)