Gjilani pranon 200 pako ushqimore nga shoqata “Islamic Relief Kosova”
Gjilan, 12 prill - Komuna e Gjilanit për nderë të muajit të ramazanit dhe në shenjë solidariteti me familjet skamnore, ka pranuar sot 200 pako ushqimore, të cilat janë donacion nga “Islamic Relief Kosova” dhe u dedikohen familjeve në nevojë, në bazë të listës që komisioni komunal e harton.
Drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Selami Xhemajli, ka falënderuar shoqatën për këtë mbështetje për 200 familje dhe shpërndarja, ka njoftuar ai, do të bëhet në bazë të vlerësimit të komisionit komunal për raste sociale.
“Islamic Relief Kosova, është shoqatë bamirëse e cila vazhdimisht e mbështetë komunën tonë me pako ushqimore. Jemi falënderues të përhershëm dhe konfirmojmë se të gjitha pakot do të shpërndahen në kuadër të prioriteteve që komisioni i ka për rastet sociale dhe familjeve që janë të prekura me Covid-19, e që gjendja e tyre është e rënduar.''
''Të gjithë bamirësit i falënderojmë për mbështetjen dhe lutemi që sa më pak raste në nevojë të kemi në Komunën tonë. Populli shqiptarë solidaritetin e ka pjesë të jetës dhe kjo është vërejtur në vazhdimësi, e veçanërisht në këtë kohë të vështirë pandemie ku dorëdhënësit janë përditë e më shumë”, ka thënë Xhemajli.
Ai në emër të Komunës së Gjilanit dhe kryetarit Lutfi Haziri, ka falënderuar shoqatën për këtë donacion dhe të gjithë donatorët e tjerë që vazhdimisht janë pranë familjeve me gjendje të rëndë ekonomike dhe sociale.
â