Gjermania zotohet për ndarjen e 27 milionë euro për Kosovën
Prishtinë, 12 mars - Pas mbajtjes së konsultimeve për bashkëpunimin zhvillimor në mes të Kosovës dhe Gjermanisë u bë e ditur se Qeveria gjermane është zotuar për ndarjen edhe të 27 milionë eurove të tjera për Kosovën në fushat e energjetikës, ujërave, ekonomisë dhe arsimit.
Gjatë konsultimeve ndërqeveritare gjermano-kosovare për bashkëpunim ekonomik zhvillimor, të cilat u mbajtën më 12 mars 2012 në Prishtinë, Qeveria gjermane është zotuar për një mbështetje të mëtutjeshme të vendit më të ri në Evropë për të përmirësuar kushtet e jetesës dhe për afrimin e tij me BE-në, thuhet në një njoftim të ambasadës gjermane në Prishtinë.
Sipas njoftimit, të dy delegacionet u pajtuan për të forcuar edhe më tej bashkëpunimin në fushat e ekonomisë dhe nxitjes së punësimit, arsimit, si dhe energjisë e infrastrukturës së ujërave. Për këtë bashkëpunim, qeveria gjermane planifikon me kusht të miratimit përfundimtar të institucioneve relevante qeveritare gjermane të vë në dispozicion 27.7 milionë euro të tjera për vitin 2012.
Në sektorin e energjisë Gjermania planifikon të mbështes sërish Qeverinë e Kosovës në ndërtimin e kapaciteteve të rrjetit të transmetimit të energjisë, ashtu që popullsia të mund të përfitojë në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të kontribuojë njëkohësisht në integrimin e tregut kosovar në atë evropian.
Mjetet financiare, të cilat ishin zotuar që në vitin 2010 për ndërtimin e impianteve për trajtimin e ujërave do të rriten. Nëpërmjet kësaj jepet një kontribut i qenësishëm në përmirësimin e qëndrueshëm të kushteve të jetesës së qytetarëve kosovarë, thuhet në njoftimin e ambasadës.
Gjermania, pas SHBA-ve, është donatori i dytë më i madh bilateral për Kosovën. Që nga fillimi i bashkëpunimit, në vitin 1999, Qeveria gjermane është angazhuar me sukses me afërsisht 400 milionë euro për rindërtimin dhe zhvillimin e Kosovës. /Telegrafi/