Gjermania rikonfirmon mbështetjen ekonomike për Kosovën
Prishtinë, 12 nëntor - Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj ka pritur sot në një takim njoftues ambasadorin e ri të Gjermanisë në Prishtinë, Peter Blomeyer të cilin e ka informuar me zhvillimet e fundit në vend në fushën e ekonomisë.
Ministri Beqaj gjatë takimit ka njoftuar diplomatin gjerman me punën e MZHE-së dhe projektet që janë në zhvillim e sipër, veçanërisht në fushën e energjetikës, minierave dhe telekomunikacionit.
Beqaj dhe Blomeyer kanë diskutuar edhe për mbështetjen e Gjermanisë përmes GIZ për projektet e ndryshme në fushën e energjisë, me fokus projektet për promovimin e investimeve sidomos në energjinë e ripërtërishme dhe mbështetjen e Ndërmarrjeve Publike.
Një vend të veçantë në takim zuri edhe diskutimi për Marrëveshjen për bashkëpunim ekonomik Kosovë Gjermani, për çka të dy palët shprehën gatishmërinë e tyre për të çuar përpara këtë nismë.
Nga ana e tij, ambasadori Peter Blomeyer ka rikonfirmuar mbështetjen e Gjermanisë për Kosovën përmes ndihmës konkrete në fusha të ndryshme duke vlerësuar nivelin e deritashëm të bashkëpunimit.