Gjermania refuzon ndihmë të re për Greqinë
Berlin, 6 korrik - Gjermania ka refuzuar kërkesën e Greqisë për të arritur një marrëveshje e cila do ti mundësonte shtetit grek të marrë një borxh të ri. Ky veprim vjen pas votës Jo në referendumin grek, duke kundërshtuar kështu masat e kursimit.
Zëdhënësi i Kancelares gjermane Angela Merkel, Steffen Seibert tha se nuk ka bazë për të hyrë në bisedime për një program të ri të ndihmës.
Ai tha se tashmë është në dorën e Greqisë që të vendos nëse do të qëndrojë në eurozonë, duke shtuar se Berlini ka pritur të shoh se cilat propozime po i bën Athina.
Shefi i eurogrupit, Jeroen Dijsselbloem tha se rezultati i referendumit grek nuk e solli Evropën më afër zgjidhjes së situatës financiare të Athinës.
Përderisa Gjermania ka dhënë një kundërshtim të fortë, anëtaret tjera të BE-së, si Franca, Italia dhe Spanja janë shprehur me një ton më pajtues.
Ministri grek i Financave, Yannis Varoufakis dha dorëheqje nga posti vetëm disa orë pas votimit. Ai tha se dorëheqja e tij mund të ndihmojë që të arrihet një marrëveshje.