18 Maj 2024

Gjermania para recesionit

Berlin, 1 gusht - Atmosfera në ekonominë gjermane po keqësohet, porositë nga jashtë vendit po bien në mënyrë dramatike, firma të mëdha vendosin të punohet më pak.


Ndaj pyetjes, se si e vlerësojnë gjendjen e tyre ekonomike aktuale, gjithnjë e më shumë sipërmarrës gjermanë përgjigjen me: jo aq të mirë.

Një numër i tyre sa vjen e në rritje thotë se nuk presin gjë të mirë nga e ardhmja. Instituti për kërkime ekonomike nga Mynihu, ifo, pyet çdo muaj rreth 7.000 sipërmarrës gjermanë dhe llogarit më pas \"indeksin e klimës së biznesit\".

Drejtori i institutit, Hans-Werner Sinn, e përmblodhi javën e kaluar studimin aktual me këto fjalë: \"Kriza e euros ushtron gjithnjë e më shumë ndikim negativ mbi koniunkturën në Gjermani.\"

 Deri tani në ekonominë gjermane shihen vetëm \"vrenjtje\", thotë në bisedë me Deutsche Welle-n Heiko Peters, analist në bankën Deutsche Bank. Njëherë, një barometër atmosfere si treguesi i klimës së biznesit është një \"indikator i butë\".

Aktualisht \"përkeqësimi nuk shfaqet ende te indikatorët e fortë të koniunkturës, si prodhimi, hyrja e porosive dhe xhirot në shitjet te konsumatori.\"

Mirëpo, në rast se atmosfera nuk përmirësohet sërish, atëherë kjo gjë do të pasqyrohet së shpejti edhe te këta tregues të fortë; në fund të fundit edhe Gjermania e ndjen depresionin evropian, thotë Peters. Kjo mund të ndodhë në të ardhmen e afërt, shton ai, pasi Deutsche Bank pret që koniunktura gjermane \"të shfaqet më e dobët\" në gjysmën e dytë të vitit.

Në eksporte ish-\"kampionia e botës\", Gjermania, ka rënë ndërkohë në vendin e tretë. Sikur të ishte fjala për një disiplinë olimpike, atëherë do të fitonte medalje të bronztë. E me të vërtetë eksporti është për Gjermaninë ende një motor koniunkture vendimtar.

Rudolf Hickel, drejtor i Institutit për Punën dhe Ekonominë në Universitetin e Bremenit, paralajmëron se \"ndikimi negativ mbi eksportet e prek ekonominë deri në rezerva\".

Heiko Peters i Deutsche Bank sheh ndërkohë shenjat e para për një gjë të tillë, sepse \"40 për qind e eksporteve gjermane shkojnë në vende të eurozonës, dhe atje kërkesa po bie qartazi\". Për profesorin nga Bremeni, Hickel, kjo nuk përbën kurrfarë surprize.

\"Atje njerëzit kanë gjithnjë e më pak para për konsum, në ekonomi nuk investohet më: kërkesa bie e kësisoj edhe importet e mallrave dhe të shërbimeve nga Gjermania.\"

Por deri tani, thotë Heiko Peters, depresioni ekonomik në vendet jugore të eurozonës nuk ka mbërritur ende në Gjermani, sepse \"së fundi kërkesa nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga Kina ka qenë relativisht e madhe\".

Mirëpo, kjo po ndryshon, vijon ai, pasi ngadalësimi i rritjes ekonomike në Kinë dhe ngecja në SHBA i vështirësojnë qysh tani eksportet gjermane në këto vende.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)