Gjermania nuk i trembet asnjë recesioni
Berlin, 28 dhjetor - Ministri gjerman i Ekonomisë, Philipp Rösler, u shpreh në një intervistë të publikuar sot se ekonomia gjermane është veçanërisht e fortë në këtë fundvit, ndërkohë që një ekonomist i njohur parashikoi se vendi do ti shpëtonte recesionit.
Ekonomia jonë është mjaft e fortë edhe pse atmosfera konjukturale është bërë më e vështirë si në nivel ndërkombëtar dhe në atë kombëtar, deklaroi Rösler për të përditshmen Handelsblatt.
Sipas Wolfgang Franz, shef i institutit shkencor ekonomik ZEW dhe kryetar i grupit të pesë të urtëve të cilët këshillojnë qeverinë gjermane në fushën e politikës ekonomike, ndërmarrjet janë të fuqishme dhe të besueshme, Gjermania po ecën mirë, të paktën për momentin.
Edhe pse rritja mendohet të ngadalësohet, ndërkohë që Evropa po përballet me krizën e borxhit dhe që kërkesa botërore ka rënë, nuk i trembem një recesioni dhe sigurisht jo si ai i 2009-s, ku Prodhimi i Brendshëm Bruto i Gjermanisë ra me më tepër se 5 për qind.