16 Nëntor 2024

Gjermania ndan miliarda euro për migrantët

Prishtinë, 7 shtator - Qeveria e koalicionit e Gjermanisë do të lirojë miliarda euro për të ndihmuar shtetet federale dhe bashkitë që të përballen me numrin rekord të migrantëve.

Kritikët në Gjermani kanë akuzuar kancelaren Angela Merkel për krijimin e një precedenti të rrezikshëm me hapjen e kufijve.

Rreth 18,000 migrantë kanë arritur gjatë fundjavës në Gjermani, pas një marrëveshjeje me Austrinë dhe Hungarinë për t’iu hequr kufizimet azilkërkuesve.

Por, kancelari i Austrisë, Werner Faymann, ka thënë se masat emergjente duhet të përfundojnë.

Pas një bisede me kancelaren Merkel dhe kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orban, Faymann ka thënë se ata do të lëvizin hap pas hapi “drejt normalitetit”.

Hungaria, gjatë javës së kaluar, i ka penguar migrantët të udhëtojnë drejt Evropës perëndimore, por të premten i ka hequr kufizimet.

Njoftimi i Gjermanisë për fonde shtesë ka ardhur pas bisedimeve midis liderëve të koalicionit të Merkelit.

Përveç 3 miliardë eurove për rajonet, ata po ashtu janë pajtuar për të përshpejtuar procedurat e aplikimit për azil, për të siguruar njësi banimi shtesë dhe për të ndarë fonde për të paguar përfitimet e të ardhurve të rinj.

Gjermania pret rreth 800,000 refugjatë dhe migrantë këtë vit dhe do që pjesa tjetër e Evropës të bëjë më shumë për akomodimin e tyre.

Migrantët nga Lindja e Mesme, Azia dhe Afrika udhëtojnë përmes Ballkanit, përkatësisht Greqisë, Maqedonisë dhe Serbisë, përpara se të arrijnë në kufirin jugor të Hungarisë, pastaj në Austri dhe Gjermani.

Sirianët përbëjnë grupin më të madh të tyre dhe ndiqen nga afganët dhe eritreasit.

Mënyra e trajtimit të krizës me migrantë ka krijuar përçarje të mëdha brenda Bashkimit Evropian.

Hungaria ka akuzuar Gjermaninë se inkurajon fluksin e migrantëve. Autoritetet hungareze janë duke forcuar kontrollin kufitar dhe kanë paralajmëruar dërgimin e ushtrisë në kufirin jugor, nëse parlamenti e miraton një masë të tillë.

Kyreministri i Hungarisë, Orban, po ashtu ka thënë se vendi i tij nuk do migrantë myslimanë dhe ka tërhequr vërejtjen se Evropa “mund të humbasë identitetin e saj të krishterë”.

Shefi i Agjencisë për Refugjatë të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ka thënë se kriza do të ishte “e kontrollueshme” nëse shtetet anëtare të BE-së do të pajtoheshin për një plan të përbashkët.

Papa Françesku, ndërkohë, i ka bërë thirrje çdo famullie evropiane dhe çdo komuniteti fetar të pranojë nga një familje refugjatësh, në shenjë solidariteti. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)