Gjermania me papunësi më të ulët të të rinjve në Evropë
Berlin, 3 maj - Lokomotiva e ekonomisë së Evropës, Gjermania, krahas dinamikës ekonomike dhe vëllimit të madh të eksportit tërheq vëmendje me papunësinë më të ulët të të rinjve mes vendeve të Bashkimit Evropian.
Papunësia e të rinjve, sidomos kur bëhet fjalë për ata që janë nën moshën 25 vjeç është një problem serioz në Evropë. Ky problem është bërë edhe më serioz që prej 8 vitesh më parë kur nisi kriza globale e cila filloi në vitin 2008 me shpalljen e falimentit nga banka amerikane e investimeve, Lehman Brothers dhe e cila për një kohë të shkurtër kaploi gjithë globin.
Sipas statistikave nga Zyra e Statistikave të Evropës (Eurostat) thuhet se papunësia e të rinjve në muajin mars të vitit 2016 në vendet e BE-së, është në kuotën e 19.1 për qind, ndërkohë që në vitin 2008 kjo përqindje ishte 15.9.
Ndërkohë ndryshe ndodhe me lokomotivën e ekonomisë së Evropës, Gjermaninë. Krahas teknologjisë së përparuar dhe eksportit të lartë, ky vend ka edhe përqindjen më të ulët të të papunësuarve të rinj në BE.
Gjermania në vitin 2008 kishte 10.4 për qind të rinj të papunë. Edhe pse kjo përqindje ka pasur një rritje në vitin 2009 gjatë viteve të mëvonshme kjo përqindje ka pasur një trend rënieje. Përqindja e të papunëve të rinj në Gjermani muajin mars të këtij viti në krahasim me tetë vite më parë ka rënë deri në 6.9 për qind. Kështu Gjermania kryeson për papunësinë më të ulët të të rinjve në radhitjen e statistikave për muajin mars 2016. Ndërkohë atë e ndjekin Holanda dhe Malta.
Ndërsa në një nga ekonomitë më të mira të Evropës, Franca në vitin 2008 kishte një papunësi të të rinjve 19 për qind, ndërkohë sipas statistikave të muajit mars kjo përqindje është rritur duke kapur shifrat e 24 për qind. Për të njëjtën periudhë papunësia e të rinjve në Itali u rrit nga 19 për qind në 36.7, ndërsa në Spanjë nga 24.5 në 45.5 për qind.
Përqindja më e lartë e papunësisë në BE, është ajo e Greqisë në të cilën 51.9 për qind e të rinjve janë të papunë. Kjo përqindje është regjistruar në muajin janar 2015. Greqinë e ndjek Spanja me 45.5 për qind, më pas vjen Kroacia me 39 për qind dhe Italia me 36.7 për qind.
- Turqia ka treguar një performancë më të mirë se shumë vende të BE-së
Turqia në vitin 2008 kishte 18.5 për qind të rinj të papunë, ndërkohë sipas statistikave të Eurostat kjo përqindje në janar të 2016-ës është 17.8 përqind.
Si rrjedhojë, Turqia në këtë kontekst ka treguar një performancë më të mirë se sa shumë vende të BE-së në punësimin e të rinjve. Turqia sipas statistikave ka kaluar disa vende të rëndësishme të BE-së siç është Franca, Italia dhe Spanja.