Gjermania insiston për riorganizim buxheti në gjithë BE-në
Berlin, 16 maj - Si konsekuencë nga kriza e euros Gjermania këmbëngul për një përmirësim mbarëevropian të financave shtetërore.
Kancelarja Angela Merkel sheh tek paketa e shpëtimit prej 750 miliardë eurosh vetëm një hap të parë për stabilizimin e monedhës së përbashkët. Problemi i mirëfilltë janë deficitet e mëdha buxhetore në vendet e euros, i tha Merkel gazetës "Süddeutsche Zeitung".
Këto duhet të rregullojnë financat e tyre shtetërore dhe të përpiqen për aftësi më të mira konkurruese, tha Merkel. Sipas revistës informative "Der Spiegel" Gjermania do të ndërmarrë së shpejti një nismë për një program konsolidimi në zonën e euros të bashkërenduar në gjithë Evropën.
Në këtë mënyrë do të rivendoset besimi në monedhën e përbashkët, e cila nuk po punon me kapacitet të plotë.