Gjermania i jep Kosovës grant në vlerë prej 17 milionë euro
Prishtinë, 15 dhjetor - Qeveria e Republikës së Kosovës në vazhdën e bashkëpunimit financiar të realizuar ndër vite me Qeverinë Federale të Republikës së Gjermanisë si partner i rëndësishëm bilateral për asistencë financiare dhe teknike, ka nënshkruar Marrëveshjen për Bashkëpunim Financiar 2015 Projekti i subvencioneve, e cila marrëveshje u nënshkrua sot nga ministri i Financave Avdullah Hoti dhe ambasadorja e Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë znj. Angelika Viets.
Marrëveshja për Bashkëpunim Financiar për vitin 2015 për dallim nga viti i kaluar ku kishte edhe kredi, përfshinë vetëm pjesën grant në vlerë prej 17 milionë euro për financimin e disa projekteve të rëndësishme, siç janë:
1. Mbështetja e sektorit të energjisë, faza e VIII Përmirësimi i sistemeve të ngrohjes komunale në Prishtinë, në vlerë prej pesë milionë euro, projekt ky i cili mundëson zgjerimin e rrjetit të Termokosit në Komunën e Prishtinës (këtu presim që edhe BE-ja të ndaj nga fondet IPA edhe nëntë milion, një milion do të jenë nga ndërmarrja dhe Komuna e Prishtinës duke e sjellë totalin e projektit për zgjerim në 15 milionë euro). Termokosi është një storie e suksesit ku Qeveria, komuna, donatorët dhe kreditorët jemi bashkuar dhe tani kemi një rezultat ku ndërmarrja nga subvencionet tani ka përmirësuar kualitetin e shërbimit për qytetarë dhe mund të kontribuoj në zgjerim të rrjetit me afarizmin që po e zhvillon;
2. Shkarkimi i ujërave të zeza në jug-perëndim, faza e pestë, në vlerë prej tetë milionë euro. Ky projekt mundëson incizimin e rrjetit me metodë të avancuar të Geographic Information Systems (GIS) që do të mundësoj edhe ndarjen e ujërave atmosferike nga ujërat e zeza për Komunat e Pejës, Gjakovës dhe Prizrenit, në të cilat qytete impiantet për trajtimin e ujërave të zeza veçse janë duke u ndërtuar me mbështetjen e Qeverisë Gjermane, si dhe
3. Programi për menaxhimin e mbeturinave, në vlerë prej katër milionë euro, projekt ky i cili do të ndihmoj komunat e përzgjedhura nga GIZ-i që të investojnë në menaxhim të mbeturinave. Ky projekt ka për qëllim zvogëlimin e numrit të deponive joformale të mbeturinave në Kosovë dhe përmirësimin e nivelit të riciklimit të mbeturinave. Projekti përfshin masat që synojnë strukturimin, grumbullimin, riciklimin dhe asgjësimin e mbeturinave. Nga ky projekt pritet që në veçanti të përfitojnë komunitetet e vogla që shpesh janë nga komunitetet pakicë, e të cilat në mënyrë jo formale janë të angazhuara në sektorin e mbeturinave. Pra, një nga qëllimet tjera të këtij projekti është që të lëvizet në punësim formal në këtë sektor.
Ministri i Financave Avdullah Hoti bëri të ditur se Ministria e Financave në vazhdën e bashkëpunimit financiar të realizuar ndër vite me Qeverinë Federale të Republikës së Gjermanisë si partner i rëndësishëm bilateral për asistencë financiare dhe teknike, ka paraparë nënshkrimin e marrëveshjes për bashkëpunim financiar për vitin 2015.
\"Nënshkrimi i kësaj marrëveshje është i nevojshëm si rezultat i mungesës së marrëveshjes kornizë, e cila do të definonte bazën për negocimin e çdo marrëveshje financiare me këtë Qeveri, dhe me këtë rast ju njoftoj se arritja e marrëveshjes kornizë me shtetin gjerman veçse është në proces.
Këto projekte paraqesin rëndësi të madhe për vendin dhe qytetarët e saj. Andaj pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, pritet nënshkrimi i marrëveshjeve të veçanta financiare për grant për këto projekte të lartë përmendura, tha Ministri Hoti.
Ai gjithashtu theksoi se Së bashku me Qeverinë Gjermane jemi në përmbyllje të procesit për finalizimin dhe nënshkrimin e marrëveshjes kornizë, konkretisht negociatat janë përfunduar dhe jemi në pritje të konfirmimit të draftit final të marrëveshjes nga ana e Qeverisë Gjermane. Andaj, shfrytëzoj rastin që të falënderoj Ambasadoren dhe stafin e saj për bashkëpunimin e shkëlqyer të ofruar gjatë të gjitha këtyre proceseve.
Ndërsa, ambasadorja e Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë znj. Angelika Viets, tha se përmes këtyre projekteve Gjermania dëshiron të përkrahë Republikën e Kosovës të ofrojë perspektivë për qytetarët e saj në vendin e tyre.
\"Furnizimi stabil me ujë dhe furnizimi i pandërprerë me ngrohje gjatë dimrit janë shërbime të rëndësishme për qytetarët e Kosovës, theksoi Viets.