Gjermani - Kosovë thellohet bashkëpunimi për pensionet
Prishtinë, 17 tetor - Me qëllim të thellimit të bashkëpunimit në mes të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe institucioneve gjermane të sigurimeve sociale dhe në funksion të mundësimit të një procesi pa pengesa të realizimit të së drejtës pensionale të qytetarëve tanë që kanë punuar dhe punojnë në Gjermani, një delegacion i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, i kryesuar nga zëvendësministri, Fatmir Shurdhaj, ka vizituar Deutsche Rentenversicherung Bayern Süd, ku ka takuar një delegacion të kryesuar nga Bruno Güra.
Të dy delegacionet shprehën përkushtimin e tyre për thellimin e bashkëpunimit në sferën e sistemit pensional, në interes të qytetarëve të të dy vendeve.
Në fund të takimit u vendos nënshkrimi i një protokolli, si bazë për rregullimin e marrëdhënieve të Sigurimit Pensional Gjerman dhe Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale.
Bashkëpunimi në mes Sigurimit Pensional Gjerman dhe Departamentit të Administratës Pensionale rreth punës së komisioneve mjekësore u trajtua si çështje e veçantë dhe u adresuan çështjet që kanë dalë nga grupet teknike.
Tash e tutje këto marrëdhënie do të jenë të definuara qartë, dhe do të sigurojnë efektivitetin e dëshiruar në të mirë të qytetarëve.
Gjithashtu në takim u shqyrtuan mundësitë e negocimit të marrëveshjes së re të sigurimeve sociale të Republikës së Kosovës dhe Republikës Federale të Gjermanisë.