Gjermani kërkon solidaritet kundër rritjes së çmimeve
Berlin, 19 shkurt - Ministrja gjermane e Bujqësisë Ilse Aigner ka kërkuar një "solidaritet ndërkombëtar" kundër rritjes së çmimeve të ushqimeve.
Rritja e çmimeve të ushqimeve është edhe një rrezik për stabilitetin global dhe sigurinë, tha Aigner për agjencinë franceze të lajmeve AFP.
Shtetet e grupit G-20 ndodhen para një sfide globale me përmasa dramatike. Prej dekadash me rradhë, çmimet e mallrave ushqimore nuk kanë qenë kaq të larta se tani, tha më tej ministrja gjermane.
Aigner përshëndeti në veçanti faktin që ministrat e financave të G-20 dëshirojnë të merren me këtë temë, në takimin e tyre këtë të shtunë në Paris.
Tregjet e mallrave ushqimore nuk duhen bërë objekt i spekulantëve, tha politikania e CSU-së.