Gjermanët kërkojnë kthimin e pronave në Vojvodinë
Shkruan Ismet Azizi
Gjermanët danubjan (siç quheshin gjermanët e Vojvodinës), janë pasardhës të gjermanëve dhe austriakëve jugperëndimor, të cilët ndërmjet viteve 1689 dhe 1787, janë vendosur në bazenin e Panonisë nga mbretëria hasburgiane. Kjo ka ndodhur pas çlirimit të Hungarisë së atëhershme e cila qëndroi 160 vjet nën sundim të Perandorisë Osmane.
Sot, në Vojvodinë, gjermanët janë një nga pakicat etnike. Ata e flasin gjuhën serbe ndërsa njohja e gjuhës gjermane iu shërben për arsye ekonomike dhe komerciale. Këta gjermanë i përkasin besimit katolik dhe protestant. Sipas regjistrimit të vitit 2002 në Vojvodinë kanë jetuar 3 154 gjermanë.
Por, më herët gjendja ka qenë ndryshe. Sipas regjistrimit të popullsisë së vitit 1880 në Vojvodinë kanë jetuar 285 920 gjermanë dhe përbënin 24.4% të popullsisë. Këta ishin komuniteti i dytë për nga numri, pas serbëve.
Mandej, në vitin 1890, është shënuar një rënie e lehtë e përqindjes (24.2%) edhepse numri i tyre ishte rritur në 321 563 duke u radhitur si komunitetet i tretë, pas serbëve dhe hungarezëve. Në vitin 1900 në Vojvodinë kishte 336.430 (23.5%) gjermanë ndërsa në prag të Luftës së Dytë Botërore llogaritet të ketë pasur mbi 550000.
Sipas regjistrimit të parë të pasluftës (1948) në Vojvodinë jetonin vetëm 31.821 (1.9%)gjermanë, të cilët ishin të gjashtit për nga numri, të kryesuar nga serbët dhe hungarezët të cilët përbënin shumicën.
Është e pakontestueshme se ndaj minoritetit gjerman në Jugosllavinë komuniste është kryer gjenocid. Në të vërtetë, qëllim ishte çrrënjosja e tyre nga kjo krahinë, nëpërmjet një vendimi intern të AVNOJ-it dhe kreut komunist. Deklaratat publike, siç ka qenë ajo e Titos në Vrshac, se problemi i pakicës gjermane do të zgjidhet me zhdukjen e tyre nga këto treva, ose ajo e Boris Kidriqit, që elementi gjerman nga pjesët veriore të ish-Jugosllavisë duhet të zhduket ka deklaruar kryetari i Aleancës Kombëtare Gjermane, historiani Rudolf Vajs.
Ai thekson se ka pasur gjenocid duke potencuar për mënyrën se si është kryer dëbimi i gjermanëve nga Vojvodina duke u dërguar në kampet e vdekjes, ekzekutimit masiv, djegieve të librave të tyre dhe shkatërrimin e çdo gjëje që ka të bëjë me kulturën, gjuhën dhe traditën gjermane në këtë rajon.
Për gjenocidin e kryer ndaj gjermanëve të Vojvodinës më së miri mund të mësojmë nga studimi i grupit të autorëve nga Austria dhe Gjermania cilët botuan librin \"Gjenocidi kundër pakicës gjermane të viti 1944-1948\", i cili, në vitin 2004, përveç në gjuhën angleze, është përkthyer edhe në gjuhën serbe. Në këtë libër është dokumentuar në detaje shfarosja e gjermanëve në ish-Jugosllavi.
Aty vërtetohet se nga 106 000 viktima civile nga viti 1941 deri 1948 që u regjistruan në territorin e Vojvodinës, rreth 25 000 ishin të kombësisë gjermane.
Kryetari NNS thotë se një profesor në Universitetin e Harvardit dhe disa të tjerë në shumë universitete gjermane e franceze, përfshirë ekspertin ndërkombëtar për gjenocid dhe krime të luftës Dr Dieter Blumenvic, sjellin ekspertizën profesionale në të cilën, duke u mbështetur në të drejtën ndërkombëtare dhe jurisprudencën, kanë qartësuar se ndaj gjermanëve në ish Jugosllavi është kryer gjenocid.
Për rezolutën e miratuar para disa viteve në Kuvendin e Vojvodinës, me të cilën gjermanët e Vojvodinës lirohen nga faji kolektiv, Vajs thotë se është një hap inkurajues. Por, sipas tij, NNS megjithatë nuk do të ndalet \"sepse ka ende shumë punë.\" Njëri nga problemet që pengon kryerjen e plotë të ksaj pune është mungesa e gatishmërisë së Kuvendit të Republikës së Serbisë..
Ne nuk do të heshtim sepse edhe deri më tani kemi kërkuar që fajësimi kolektiv i gjermanëve, por edhe i popujve të tjerë, të cilët janë dënuar padrejtësisht, të hiqet edhe në nivel të Kuvendit të Serbisë, si dhe keqardhja publike për krimet e kryera kundër popullatës civile. Gjithashtu, të vazhdojë qasja në materialet arkivore, para se gjithash të policisë ushtarake dhe asaj të fshehtë, pa marrë parasysh se si quhet ajo, KNOJ, OZNA, UDBA, SDB, apo BIA, që në bazë të dokumenteve më në fund të thuhet e vërteta historike- thekson Vajs.
Pas Luftës së Dytë Botërore numri i popullsisë gjermane u zvogëluar në masë të madhe. Arsyet janë të shumta: vdiqën si ushtarë, ikja nga pushteti i ri (rreth 250 000), vdekjet në kampet e punës, ekzekutimet hakmarrëse (të fajshëm e të pafajshëm) me rastin e çlirimit të vendit nga gjermania naziste.
Por, dëbimet dhe emigrimi i tyre i mëvonshëm, për shkak marrëveshjes së fituesve të luftës në vitin 1945, kanë bërë që rreth 14 milion gjermanë të dëbohen nga trevat e veta ku kanë jetuar.
Pos kësaj, shumë prej tyre e kanë ndërruar identitetin në kroatë dhe hungarezë. Në pronat e braktisur të gjermanëve gjatë viteve 1945-1950. Kur është bërë kolonizimi, janë vendosur ardhacakë nga të gjitha republikat sipas kuotave të caktuara dhe rajoneve pasive. Pjesa më e madhe e kolonizatorëve kanë qenë serbë dhe malazezë.
Gjermanët kërkojnë të kthehen në pronat e veta
Presidenti i A.K.Gj., Rudolf Vajs, para disa muajve deklaroi se gjermanët kërkojnë që tju lejohet kthimi i pronave të konfiskuara pas Luftës së Dytë Botërore, Gjermanët janë shumë të zhgënjyer nga fakti se në ligjin për kthim të pronave të konfiskuara dhe për dëmshpërblim, hynë edhe \"parimin e fajësimit kolektiv\". Ata bëjnë me dije se në opinionin botëror do të bëjnë një fushatë të madhe kundër këtij ligji.
Gjermanët e Vojvodinës, kohëve e fundit, kanë marrë mbështetjen e dyzet shoqatave gjermane nga 10 vende të ndryshme, për realizimin e të drejtave të tyre. Sipas Vajs, \"pronë është e vjedhur derisa ajo të mos kthehet. Përndryshe, këto prona do të mbeten gjithmonë të grabitura. Kjo është arrogancë e pastër ndaj nesh dhe ndaj të gjitha viktimave të luftës dhe të pasluftës\".