Gjendja e rëndë në Drenas pasqyrë e manipulimeve me paranë publike
Prishtinë, 13 maj - Lëvizja Vetëvendosje!, Qendra në Drenas ka vlerësuar se gjendja e rëndë e infrastrukturës në Drenas është pasqyrë e manipulimeve të zyrtarëve komunal me paranë publike.
Investimet komunale sipas Vetëvendosjes pa kurrfarë kriteri dhe mbikëqyrje që janë bërë në rrugë, ujësjellës dhe në kanalizime në shumicën e rasteve nuk kanë rezultuar me heqjen e gropave, me sigurimin e ujit dhe me largimin e ujërave të zeza nëpër vendbanimet e ndryshme.
Kjo tablo e infrastrukturës në komunën e Drenasit tregon mirëfilli se përfituesit e investimeve kapitale në infrastrukturë nuk janë qytetarët hallexhinj por pushtetarët dhe kompanitë e kontraktuara.
Lëvizja vlerëson se në Komunën e Drenasit deri më tani tenderët i kanë marrë vetëm operatorët ekonomik që udhëhiqen nga militantët e partisë në pushtet.
Madje sipas kësaj lëvizje ka raste që vetë zyrtarët komunal kanë marrë tenderë të ndryshëm me kompanitë që nuk janë të regjistruara në emrat e tyre.
\"Duke qenë kështu, organet mbikëqyrëse të emëruara nga Komuna e kanë pranuar punën e kompanive pa u zbatuar obligimet e kontratës. Këto fakte e përligjin dyshimin tonë se zyrtarët komunal iu marrin mito kompanive përfituese.\'
\"Kompanitë që i marrin tenderët nga Komuna, me qëllim që përfitimi i tyre të jetë më i lartë përdorin material të lirë, ndërkaq në fatura të tyre figurojnë shifra të shtrenjta. Të gjitha këto lloje të keqpërdorimeve kanë bërë që infrastruktura në përgjithësi të ketë mungesë të theksuar të cilësisë\", thekson Vetëvendojse.
Rrugët që janë asfaltuar në Drenas nga udhëheqësit komunal në mandatet e kaluara dhe në këtë mandat janë shumë të dëmtuara dhe përplot me gropa.
Rrugët në fshatrat Baicë, Likoshan, Shtuticë, Gradicë, Vasilevë janë të dëmtuara aq shumë sa që një rrugë e shtruar me zhavorr do të ishte shumë më e mirë.
Këto dhe rrugë të tjera po shkaktojnë aksidente, dëmtim të automjeteve transportuese të qytetarëve, si dhe vonesa në kalimin e tyre.
Shumica e rrugëve lokale paraqesin rrezik për këmbësorët, veçmas për fëmijët, përkatësisht nxënësit, ngase nuk kanë trotuar.
Në raportin e Komunës së Drenasit për vitin e kaluar thuhet se është investuar në rregullimin e rrugëve në Shtuticë, Polluzhë dhe Dobroshefc.
Vetëvendosje konsideron se këto investime që i kanë proklamuar zyrtarët komunal mund të jenë vetëm imagjinare, sepse në realitet nuk është bërë asnjë investim. Thjesht, raporti i Komunës për vitin e kaluar është i mbushur me plotë të pavërteta dhe mashtrime.
Fshatrat në Komunën e Drenasit ballafaqohen në mënyrë periodike me mungesën e ujit, sidomos në muajt e nxehtë të verës.
Komuna sipas Vetëvendosjes nuk ka treguar vullnet dhe gatishmëri që të përmirësoj situatën në terren sa i përket problemit të ujit. Rrjetet e ujësjellësit që janë investuar nga Komuna në disa fshatra, pothuajse të gjitha janë jofunksionale.
Në fshatrat Tërstenik, Verboc, Dobroshefc dhe Polluzhë, rrjeti i ujësjellësve ka defekte të mëdha si pasojë e papërgjegjësisë së kompanive kontraktuese dhe organeve mbikëqyrëse komunale.
Gjatë pikut të thatësisë shumë qytetarë të fshatrave të ndryshme janë të detyruar që të udhëtojnë me kilometra për ta siguruar ujin e domosdoshëm. Edhe me rrjetet e kanalizimeve nuk qëndron puna hiq më mirë.
Gjysma e fshatrave të komunës nuk kanë sistem të kanalizimit fare, ndërsa ato fshatra që kanë janë ankuar për mosfunksionim të duhur të tyre.
Vetëvendosje vlerëson se Qytetarët e Drenasit duhet ta ndëshkojnë këtë qeverisje të papërgjegjshme dhe të korruptuar me të gjitha format e lejuara demokratike.
\"Një mundësi e mirë për ti dhënë fund kësaj keqqeverisje janë zgjedhjet lokale që pritet të mbahen në vjeshtën e këtij viti. Vota e qytetarëve në këto zgjedhje duhet të jetë votë për ndryshime rrënjësore në mendësinë qeverisëse\", thuhet në fund të komunikatës së Vetëvendosjes.