Gjendja e banorëve të veriut është mjaftë e rëndë
Prishtinë, 6 tetor - Zëvendësministri i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Fatmir Shurdhaj, me bashkëpunëtorë, ka vizituar disa fshatra të zonës kufitare me Serbinë në komunën e Leposaviqit, që janë të banuara kryesisht me popullatë shqiptare si Bistricën e Shalës, Cerajë e Koshtovë e Vllahisë.
Gjithashtu Shurdhaj, i shoqëruar edhe nga kryetari i Mitrovicës, Avni Kastrati më pas ka vizituar Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicë.
Gjatë kësaj vizite në disa familje të këtyre fshatrave, zv/ministri Shurdhaj nga afër ka parë gjendjen e këtyre banorëve, e cila është mjaftë e rëndë, sidomos pas ngjarjeve të fundit të bllokimit të rrugëve nga ana e ekstremistëve serb, ku këto fshatra kanë mbetur plotësisht të izoluara, kurse lëvizja e këtyre banorëve realizohet përmes rrugëve alternative malore.
Ndihma në gjëra ushqimore, veshmbathje etj. për këto familje është më se e domosdoshme dhe emergjente, gjë të cilën edhe ua premtoi zv/ministri Shurdhaj, i cili u shpreh se do të bëjë gjithçka që është e mundur në suaza të kompetencave që ka në Qeverinë e Republikës së Kosovës, që këto familje të mos ndjehen të braktisura nga ana e shtetit të Kosovës, dhe se shumë shpejt do të ndihmohen me artikuj ushqimor e gjëra të tjera elementare jetësore.
Një gjendje aspak më e mirë nga fshatrat e lartpërmendura, nuk është as në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicë, ku zv/ministri Shurdhaj, së bashku me kryetarin e Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, ka vizituar disa familje të cilat vërtetë jetojnë në kushte shumë të rënda.
Shurdhaj edhe këtyre banorëve u ka premtuar se do të ndihmohen në renovimin e shtëpive dhe me gjësende tjera elementare për familjet.
Vlen të theksohet se kjo vizitë e zv/ministrit Shurdhaj është pritur jashtëzakonisht mirë nga banorët, të cilët vlerësuan se dora e Shtetit të Kosovës nuk i ka harruar dhe po tregon kujdes edhe për ta.