Gjatë vitit 2018, sektori bankar në Kosovë ka aprovuar 1,367 milion kredi
Bankat e vendit nga gjithsej kreditë e lëshuara, 59.7% të kësaj shume i kanë dhënë bizneseve, duke vënë kapitalin në dispozicion të zgjerimit të kapaciteteve të këtyre bizneseve dhe duke nxitur punësimin.
Kreditimi i bizneseve sipas Shoqatës se Bankave bëhet sipas kërkesës së tregut e cila vjen si rrjedhojë e strukturës ekonomike të vendit.
Kjo reflektohet edhe në kreditimin e sektorëve të ndryshëm ku sektori i tregtisë është më i kredituar se sektorët tjerë me një përqindje prej 48.8% të gjithsej kredive për sektorin privat.
Vlenë të ceket që sektori i ndërtimtarisë ka poashtu një peshë më të madhe në këtë aspekt me një pjesëmarrje prej 9.0%.
Në anën tjetër, sektorë të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendit siç është sektori i bujqësisë dhe prodhimtarisë kanë shënuar rritje të konsiderueshme në vlerë të përgjithshme, respektivisht 67.6 milion për bujqësinë dhe 218.1 milion për sektorin prodhues, por pjesëmarrja e tyre në gjithsej kreditë mbetet relativisht e ulët dhe e pandryshuar ndër vite.
Shoqata konsideron se në këtë drejtim, bankat mbesin të gatshme të financojnë edhe këta sektorë por kërkohet që të ketë reforma thelbësore në këta sektorë, me mbështetjen e institucioneve shtetërore dhe organizatave zhvillimore ndërkombëtare, për të bërë këta sektorë më konkurrentë dhe për të rritur kërkesën fizibile për kredi.