19 Nëntor 2024

Gjashtë vjet të ekonomisë së Kosovës

Prishtinë, 18 shkurt - Republika e Kosovës në këta gashtë vjet të ekzistimit si shtet i pavarur dhe sovran ka pasur përparime dhe dështime në aspektin ekonomik.

Kosova gjatë këtyre viteve ka arritur të bëjë reformë në disa sektorë, por për të pasur më shumë zhvillim të ekonomisë duhet të bëhen reforma më të thella. Problemi më i madh i ekonomisë, edhe pas pavarësisë së Kosovës, ka qenë vazhdimi i privatizimit, i cili ishte parë si i dështuar edhe në kohën kur Kosova udhëhiqej nga UNMIK-u.

Dy projektet që kanë pasur sukses janë koncensionimi i Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës (ANP) “Adem Jashari” dhe ndërtimi i Autostradës së Kosovës, e cila është ndërtuar pa pasur nevojë te merret kredi nga ndonjë institucion financiar.

Në këtë përvjetor, të kontaktuar nga gazeta, përfaqësuesit e komunitetit të biznesit dhe njohësit e ekonomisë kanë deklaruar se Kosova duhet të ecë drejt reformës në ekonomi. Por, edhe pas pavarësisë së Kosovës, vendi nuk mundi të ofronte energji të mjaftueshme për qytetarët dhe biznesin. Për këtë çështje Qeveria e Kosovës kishte vendosur ta shiste distribucionin. Edhe pse Kosova posedon resurse të mëdha të linjitit, edhe gjashtë vjet pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës është duke vazhduar prolongimi i ndërtimit të termocentralit të ri “Kosova e Re”.

Gërxhaliu: Në agjendat institucionale të jetë zhvillimi ekonomik

Kryetari i Odës Ekonomikë të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, ka deklaruar se 6-vjetori i Pavarësisë së Kosovës është një festë, e cila vërtet e meriton të kremtohet mirëpo, sipas tij, krahas këtyre emocioneve, duhet më tepër të analizohen të arriturat dhe ku kanë qenë të gjitha ato vështirësi e sfida me të cilat është ballafaquar ekonomia kosovare. “Nuk kemi arsye për eufori, përkundrazi është koha kur ekonomisë duhet t’i qasemi me një pragmatizëm shumë më të madh. Janë bërë hapa, qoftë në aspektin e legjislaturës, qoftë në aspektin e anëtarësimit të Kosovës në institucione të ndryshme financiare, siç janë Banka Botërore,  Fondi Monetar Ndërkombëtar, por vitet e fundit janë për t’u vlerësuar anëtarësimi dhe partneriteti me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Bankën Evropiane për Investime”, ka deklaruar Gërxhaliu për “Epokën e re”. Ai ka shtuar se ka ardhur koha të jemi më tepër të orientuar drejt Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme (NVM) dhe të bëhet më tepër për sektorin prodhues. “Është koha kur duhet të ngritët cilësia e edukimit dhe të përmirësohet ambienti i biznesit për tërheqjen e investitorëve të huaj. Emërues i përbashkët i zgjidhjeve të të gjitha problemeve është sundimi i rendit dhe ligjit. Tani duhet që prioritet i prioriteteve në agjendat institucionale të jetë zhvillimi ekonomik, jo vetëm agjenda politike”, është shprehur Gërxhaliu.

Zeka: Kosova duhet të jetë atraktive për investitorët e huaj

Drejtori i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK), Arian Zeka, ka deklaruar se pas gjashtë vjetëve si shtet Kosova ka pasur lëvizje pozitive të gjithëmbarshme, përfshirë edhe zhvillime në fushën e ekonomisë, të cilat janë inkurajuese. Sipas tij, normat e rritjes ekonomike duhet të jenë më të larta nga këto që kemi parë deri më tani. “Është dashur të bëhet më shumë dhe më shpejt për krijimin e një mjedisi të përshtatshëm në të cilin do të ishte sektori privat ai i cili do ta udhëhiqte rritjen ekonomike të vendit. Lëvizjet pozitive mund të vërehen nga eliminim i procedurave burokratike, së cilës i ka paraprirë një proces i reformave që janë edhe rezultat i dialogut të përmirësuar midis sektorit privat dhe publik, por edhe te rritja e të hyrave buxhetore”, ka thënë ai, duke shtuar se “nuk mund të jemi aspak të kënaqur me fluksin e investimeve të huaja në këto vite të pas pavarësisë”. “Duhet të bëjmë më tepër dhe të jemi më kreativë në ofrimin e stimujve për investitorët në përgjithësi. Gjithashtu, duhet të bëjmë përpjekje më serioze për fuqizimin e sundimit të ligjit dhe krijimin e një mjedisi më të sigurt, jo vetëm për investitorët e huaj, por edhe ata vendorë”, ka theksuar ai.
Zeka ka shtuar se një indikator në të cilin nuk është shënuar progres edhe në raportin e Bankës Botërore është zbatueshmëria e kontratave që sërish lidhet me joefikasitetin e sistemit gjyqësor në përgjithësi. “Mjedisi i tanishëm nuk është tërheqës për investitorët seriozë, të cilët mund t\'i shohim të pranishëm nëpër shumë vende fqinje”, ka thënë ai. Sipas tij, institucionet përkatëse duhet përfundimisht të shikojnë përtej kufizimeve afatshkurtra buxhetore dhe të mendojnë për prezantimin e lehtësirave fiskale dhe jofiskale për investitorët e huaj dhe ata vendorë, të cilët do të sillnin përfitime në periudhë afatgjatë. “Duhet ta tregojmë një qasje më serioze për fuqizimin e sundimit të ligjit si parakusht për tërheqjen e investitorëve seriozë të huaj. Duhet të fokusohemi më tej në rritjen e cilësisë së institucioneve arsimore dhe atyre të zhvillimit profesional, që së paku në aspektin e fuqisë punëtore të jemi më atraktivë për investitorët e huaj, duke e ditur pjesëmarrjen e të rinjve në numrin e përgjithshëm të popullsisë”, ka deklaruar Zeka për gazetën “Epoka e re”.

Qorraj: Kosova ka pasur më lehtë qasje në fonde të BE-së

Profesori i Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Prishtinës, Gazmend Qorraj, ka thënë se pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës mundësitë kanë qenë shumë më të mëdha për organizimin dhe koordinimin e proceseve ekonomike në mënyrë më efikase, për arsye se institucionet e Kosovës kanë pasur mundësi më të madhe të vendimmarrjes pasi, sipas tij, edhe komuniteti ndërkombëtar ka ofruar përkrahje financiare si: qasje në grande të ndryshme zhvillimore, programe për arsim, por edhe programe te tjera zhvillimore siç janë IPA 2007/2013 dhe IPA 2014/2020. “Aspekt sfidues në këtë periudhë konsideroj se ka qenë procesi i tranzicionit të gjatë të Kosovës, proceset politike të pazgjidhura me vendet e rajonit, problemet politike që kanë shkaktuar komunitetet pakicë në Kosovë, por edhe mungesa e një vizioni të qartë nga institucionet tona për zhvillimin ekonomik, në mënyrë që t’i shfrytëzojmë sa më shumë mundësitë që na ofrohen në këtë moment. Përpjekjet e institucioneve lokale duhet të jenë më të mëdha në koordinimin e fondeve të BE-së, në shfrytëzimin e benefitive që ofron procesi i integrimit evropian, transformimin e punësimit nga sektori publik në atë privat, shfrytëzimin efikas të investimeve në infrastrukturë si dhe aspekte të tjera”, është shprehur Qorraj.

Kryeziu: E arritur, anëtarësimi në organizata financiare botërore

Kurse eksperti i Ekonomisë, Nexhat Kryeziu, ka thënë se ekonomia e Kosovës nuk ka ndryshuar shumë nga ajo që ka qenë gjatë kohës së UNMIK-ut. “Kosova ka pasur zhvillime pozitive në ndërtimin e infrastrukturës. Kosova është anëtarësuar në organizma të rëndësishëm ndërkombëtar si FMN, BB, BERZH”, ka thënë ai. Sipas Kryeziut, i cili është ligjërues në Kolegjin ISPE, vendi ka dështuar në disa fusha që janë shumë të rëndësishme që të ketë zhvillim më të përshpejtuar dhe më të madh ekonomik.

“Vendi vazhdon të ballafaqohet me deficit të lartë tregtar, ndërsa shteti nuk i ka përkrahur sektorët strategjikë dhe ata që mund ta zvogëlojnë këtë deficit. Nuk ka program të mirëfilltë për zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, të cilat janë çelës i zhvillimit dhe stabilitetit të vendit. Privatizimi ka vazhduar me praktika dhe politika të këqija, sikurse ato që janë ndjekur në kohën e administratës së Kombeve të Bashkuara, bile kredibiliteti i këtij procesi  u zbeh edhe më shumë me rastin e përfshirjes në skandale të zyrtarëve të lartë të shtetit”, ka vlerësuar ai, duke shtuar se Kosova gjatë këtyre viteve ka dështuar t’i tërheqë investitorët e huaj dhe ata kredibilë, të cilët do të mundësonin krijimin e vendeve të punës.

Albulena Mavraj e Afet Bela
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)