05 Nëntor 2024

Gjakova, komuna me transparencën më të lartë buxhetore në vitin 2018

Prishtinë, 13 shtator - Sot Instituti GAP organizoi konferencë për media ku publikoi raportin “Indeksi i transparencës buxhetore të komunave 2018”.

Ky raport prezanton një vlerësim të transparencës buxhetore të komunave në Kosovë duke i renditur komunat në bazë të performancës më të mirë.

Blendi Hasaj, Hulumtues në Institutin GAP, theksoi se indeksi i transparencës buxhetore komunale bën një vlerësim dhe renditje të komunave varësisht nga numri i dokumenteve të publikuara, dëgjimeve buxhetore me qytetarë dhe përgjigjet në kërkesat e Institutit GAP për qasje në dokumente buxhetore.

Sipas tij, të gjeturat e këtij raporti tregojnë se transparenca buxhetore e komunave në vitin 2018 ishte në një nivel më të lartë se në vitet e kaluara, ku mesatarja e pikëve për komunë ishte mbi 52 dhe 71% e komunave kanë mbledhur të paktën gjysmën e pikëve në indeks.

Komuna me transparencën më të lartë buxhetore më 2018 sipas Hasajt është Gjakova, e cila ka mbledhur 97 nga 100 pikë dhe ka publikuar të gjitha dokumentet buxhetore si dhe ka mbajtur të paktën katër dëgjime buxhetore me qytetarë.

Po ashtu, transparencë të lartë buxhetore më 2018 bazuar në indeksin e GAP, sipas Hasajt, kanë treguar dhe komuna e Kamenicës, Gjilanit, Shtimes, Lipjanit dhe Prishtinës.

Ndërsa komuna e Zubin Potokut, Parteshit, Leposaviqit dhe Zveçanit janë vlerësuar me zero pikë në indeks ngase nuk kanë publikuar asnjë dokument dhe nuk janë përgjigjur në kërkesën e Institutit GAP për qasje në dokumentet buxhetore.

Nora Jusufi, Hulumtuese në Institutin GAP, shpjegoi metodologjinë dhe të gjeturat e indeksit të Institutit GAP për transparencën buxhetore të komunave.

Ajo shpjegoi se një komunë mund të merr maksimumin e pikëve vetëm në rast se i ka publikuar të gjitha dokumentet buxhetore lidhur me buxhetin e vitit 2018 në format të lexueshëm nga kompjuteri.

Përkundër që janë të obliguara ligjërisht që t’i publikojnë disa nga dokumentet buxhetore pjesë e indeksit, jo të gjitha komunat e kanë bërë këtë më 2018.

Konkretisht, vetëm rreth 60% e komunave i kanë publikuar të gjitha dokumentet që burojnë nga udhëzimi administrativ i MAPL-së për transparencë në komuna, shtoi Jusufi.

Indeksi i transparencës buxhetore përveç vlerësimit përmban rekomandime konkrete se si mund të përmirësohet transparenca buxhetore për secilën komunë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)