Gjakova i ulë pagesat për shërbimet për qytetarë dhe biznese
Prishtinë, 18 gusht - U miratua Rregullorja për Taksa, Tarifa dhe Ngarkesa nga Shërbimet Komunale. Me këtë Rregullore përcaktohet lartësia e pagesës për rreth 200 shërbime të cilat I ofron administrata Komunale si dhe institucionet publike komunale. Pagesa për shërbimet komunale, lëshimin e dokumenteve publike, përpilimin e shkresave, shërbimet profesionale, shërbimet për bizneset dhe të tjera, janë ulur në masë të madhe.
Ulja e pagesave për shërbimet është pjesë e reformës së administrimit të Komunës e cila, përveç uljes së kostos për qytetarin dhe bizneset, gjithashtu ka për qëllim të thjeshton procedurat administrative dhe të ulë afatin kohorë për kryerjen e shërbimeve.
Rregullorja e re e shërbimeve dhe ulja e çmimeve ka bërë të mundur që qytetarët të kursejnë rreth 140.000 Euro në vit për shërbimet të cilat i marrin nga Komuna (sipas kalkulimit të kostos të bërë nga ekspertet ekonomik të Bankës Botërore - IFC).
Shërbime të ndryshme kanë pësuar zbritje në pagesë duke filluar prej 20%, 40%, 60% e deri në eliminim total të pagesës për disa shërbime që ofrohen në Komunë. Ulje në pagesa kanë pësuar shumica e shërbimeve të Ofiqarisë, p.sh. certifikata e vendbanimit, certifikata e gjendjes martesore dhe deklarata e bashkësisë familjare nga 3 Euro janë bërë 1 Euro, ndërsa korrigjimet në regjistrat e gjendjes civile prej 10 Euro sa kanë paguar qytetarët më parë tani paguajnë 5 Euro.
Në këtë Rregullore është menduar edhe për bizneset dhe incentivat për të bërë biznes më lehtë. Për shembull, pagesat për shfrytëzimin e hapësirave publike jo vetëm që janë ulë si pagesë bazë por edhe është bërë ndarja e qytetit në katër zona në mënyrë që bizneset hoteliere, lokalet afariste, etj të paguajnë sipas zonës në të cilën gjinden dhe frekuentimit në ato pjesë të qytetit, pra zona e parë paguan çmimin bazë ndërsa zonat tjera pësojnë ulje me 20% - 30% dhe 40%. Ndërsa të njëjtat për sezonin e dimrit paguajnë edhe për 30% më pak se muajt tjerë të vitit.
Për 40% deri në 60% është ulë pagesa për pëlqimin sanitarë për ndërtim të objektit të banimit, objekteve edukativo-arsimore, shëndetësore, sportit e kulturës, lokaleve afariste, tregjeve, etj.
Komuna ka menduar edhe për qytetarët e sajë të cilët duhet të kalojnë nëpër procesin e daljes në pension. Dokumentacioni i nevojshëm si stazhi i punës dhe konfirmimi i përvojës së veprimtarisë tani është 1 Euro, nga 5 Euro sa ka qenë deri tani. Me rregulloren e re janë përmirësuar edhe shërbimet e fushës së Arsimit dhe Kulturës. Prej tani objektet publike shkollore, të kulturës dhe sportit do të mund të shfrytëzohen, nga qytetarët dhe bizneset, me procedurë më të lehtë, më transparente dhe atë më çmime deri në 50% më të ulta se deri tani.
Gjithashtu, Komuna i ka zvogëluar afatin kohorë për përfundimin dhe kthimin e përgjigjes për një numër të madh të shërbimeve. Ligji e përcakton afatin maksimal kohor deri në 30 ditë, ndërsa komuna me Vendim të veçantë përgjigjet dhe kërkesat e ndryshme i proceson më shpejtë deri në 15 ditë.
Kjo Rregullore e parasheh edhe përjashtimin nga pagesa për një numër të konsiderueshëm të shërbimeve për grupet e posaçme të qytetarëve, siç janë: personat me nevoja të veçanta; shfrytëzuesit e skemave të ndihmës sociale; invalidët, veteranët dhe familjet e viktimave dhe të zhdukurve të luftës.
Këto grupe lirohen nga pagesa për pajisje me certifikatë të lindjes, ekstrat të lindjes, certifikata e vendbanimit, gjendjes martesore, deklarata e bashkësisë familjare, shërbimet e qendrave primare të shëndetit, disa shërbime të gjeodezisë dhe kadastrit, si p.sh. kopja e planit dhe certifikata e pasurisë, nga pagesa për leje të ndërtimit ende lirohen shtëpitë e djegura gjatë luftës së fundit, etj.
Në këtë Rregullore për Taksa dhe Tarifa, për herë të parë në Kosovë, zyrtarisht nga pagesa e shërbimeve lirohen viktimat e dhunës seksuale të luftës.
Në identifikimin e shërbimeve dhe mundësive për përmirësimin e të njëjtave është punuar për më shumë se një (1) vit. Grupi punues, i përbërë nga Drejtorë dhe zyrtarë të të gjitha Drejtorive, udhëheqës dhe zyrtarë të institucioneve publike, përfaqësues të bizneseve dhe organizatave jo-qeveritare si dhe grupet tjera të interesit, kanë punuar për të nxjerrë një dokument gjithëpërfshirës.