Gjakova do të ketë 19 milion e 895 euro buxhet komunal në 2016
Gjakovë, 21 shtator - Sot ka përfunduar fushata e Debateve Publike lidhur me projekt buxhetin financiar për vitin 2016, të cilin e ka organizuar Komuna e Gjakovës në mbështetje nga Zyra e OSBE-së në Gjakovë.
Fillimisht janë mbajtur debate në qendra rurale të komunës së Gjakovës, në Botush, Cermjan, Skivjan, Bishatzhin dhe në Demjan.
Ndërsa sot u mbajt debati i fundit në sallën e kuvendit të komunës, ku morën pjesë një numër i konsiderueshëm i qytetarëve së bashku me përfaqësues të Komunës së Gjakovës.
Fillimisht drejtori i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Teki Shala, ka numëruar projektet që janë paraparë të implementohen në vitin e ardhshëm dhe ka bërë të ditur se Komuna e Gjakovës në vitin 2016 do të ketë 19 milion e 895 euro buxhet komunal.
Sipas Shalës, ganti i përgjithshëm do të jetë afro 7 milion euro, ganti specifik i arsimit do të jetë 7 milion e 710 mijë euro, ose 400 mijë euro më pak se vitin e kaluar për shkak të numrit më të vogël të nxënësve në këtë vitit shkollor.
Sa i përket gandit specifik për shëndetësi ai do të jetë 2 milion e 235 mijë euro, ndërsa të hyrat vetjake komunale parashihen të jenë 3 milion e 30 mijë euro.
Gjatë vitit 2016 pagat dhe mëditjet do të arrijnë shumën mbi 13 milion euro, mallrat dhe shërbimet 1 milion e 695 mijë euro, shpenzimet komunale mbi 561 mijë euro, subvencionet dhe transferet 439 mijë e 982 euro, ndërsa shpenzimet në projekte kapitale do të jenë 4 milion e 191 mijë e 127 euro.
Ky është projekti buxhetor që ka hartuar komuna, ndërsa përmes sugjerimeve vërejtjeve dhe plotësimeve të juaj, ekziston mundësia që të ketë ndryshime , ka shtuar Shala në këtë debat publik.
Qytetarët kanë dhënë vlerësime të mira lidhur me ndarjen e shumës së buxhetit në lokacione përkatëse.
Por, sipas tyre është e domosdoshme që në disa lokalitete që kërkohen urgjentisht investime, komuna të lartëson prioritetin e saj si në fshatin Nivokaz, në ndërtimin e kanaleve për ujitje, kanalizim, ujësjellësin dhe ndërtimin e infrastrukturës rrugore në fshatrat e Lugut të Carragojës.
Poashtu, ka pasë kërkesa për ndërtimin e rrjetit të ujësjellësit dhe kanalizimit në fshatrat e Rekës së Keqe, në pjesën dërmuese të fshatrave të Dushkajës dhe Hasit.
Për këtë kërkesë Shkumbin Kastrati, drejtor i Shërbimeve Publike ka thënë se sa i përket rrjetit të ujësjellësit, Komuna e Gjakovës me mbështetje të shtetit Zviceran do të investoj në afro 40 fshatra të komunës dhe brenda dy viteve asnjë fshat i Gjakovës nuk do të mbetet jashtë rrjetit të ujësjellësit.
Sqarime për investime në projekte përkatëse ka dhënë edhe Kryesuesi Luan Gola, drejtoret Bekim Ermeni, Basri Komoni, Teki Shala e drejtor tjerë prezent në këtë debat.